E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvarroset kufoma e gruas së vrarë në grabitjen e ‘97

Zhvarroset gruaja e vrarë nga keqbërësit gjatë një grabitje me armë të ndodhur në vitin 1997. 

Gjirokastër

Eleni Koka, gruaja që humbi jetën 11 vjet më parë, është zhvarrosur dje në Gjirokastër nga mjekët ligjorë të mbërritur atje nga Tirana. Zhvarrimi është bërë me qëllim saktësimin e shkakut të vdekjes së gruas, e cila është qëlluar me armë nga grabitësit, pasi nuk pranoi t’u dorëzonte atyre çelësat e makinës së bashkëshortit të saj. Mjekët ligjorë me zhvarrimin e gruas po përpiqen të saktësojnë shkakun e vdekjes së saj 11 vjet më parë, projeksionin e predhave të armës me të cilën ajo është qëlluar si dhe fakte të tjera të ngjarjes, e cila deri pak muaj më parë konsiderohej misterioze. Dosja penale për këtë ngjarje është rihapur pak kohë më parë dhe policia ka arrestuar Bilal Mehmetin, si person i dyshuar për implikim në grabitjen me pasojë vdekjen. Ka qenë dëshmia e bashkëshortit të gruas së vrarë që çoi në identifikimin dhe arrestimin pas plot 11 vjetësh të Bilal Mehmetit.
Rihapja e hetimit
Sipas policisë, 31-vjeçari nga Delvina u arrestua dy muaj më parë gjatë një aksioni blic të realizuar nga specialistët e sektorit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Ai dyshohet të jetë autori kryesor i një prej krimeve që ende nuk ishin zbuluar plotësisht. Nga hetimet ka rezultuar se, Mehmeti së bashku me bashkëmoshatarin e tij Ilirian Alinanaj, po nga Delvina, i kanë zënë pritë e më pas kanë ekzekutuar 35-vjeçaren Eleni Koka. Ajo u qëllua me pistoletë në kokë në momentin e rezistencës që ushtroi gjatë tentativës për të rrëmbyer automjetin e të shoqit në aksin rrugor që ndan rrethin e Gjirokastrës me atë të Sarandës, 2 km mbi fshatin Jorgucat. Sipas policisë, ngjarja ka qenë me autor të pazbuluar dhe është dashur ndërmarrja e operacionit të koduar “Drejtësi e vonuar” për të kapur protagonistin kryesor të saj.
Grabitja
Ka qenë ora 11:30 e 29 marsit të vitit 1997, kur Bilal Mehmeti i pozicionuar në kthesën e Muzinës, i ka dalë përpara i armatosur shtetasit Stefan Koka nga Delvina, i cili udhëtonte së bashku me gruan e tij dhe tre të afërm që i kishte sjellë nga Greqia në drejtim të Delvinës. Pasi i kanë bërë shenjë automjetit tip “Benz-Mercedes” me targa të Delvinës 0893 A, dy grabitësit kanë kërkuar nga drejtuesi i makinës nën kërcënimin e armëve çelësat. Në këtë moment e shoqja e drejtuesit të makinës Eleni Koka, i ka rrëmbyer çelësat të shoqit dhe nuk ka lejuar që keqbërësit të rrëmbenin automjetin. Të befasuar nga reagimi i 35-vjeçares, Mehmeti ka qëlluar me pistoletë në drejtim të gruas, duke e lënë atë në vend të vdekur. Prej asaj dite, Bilal Mehmeti i është shmangur policisë shqiptare, duke marrë me vete edhe misterin e ngjarjes së rëndë.                 d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›