E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarri në Mallakastër, Cara: Asnjë banesë nuk është prekur

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Rreth 15 hektarë sipërfaqe me pisha janë përfshirë nga zjarri në fshatin Riban të Mallakastrës, ndërsa flakët vijojnë të mbahen nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe emergjencave gjatë gjithë ditës.

Në një prononcim për mediet, drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara, e cilësoi situatën dramatike dhe të vështirë për shkak të përmasave të zjarrit, temperaturave të larta dhe erës së fortë.

Cara tha se prioritet ka qenë garantimi i sigurisë së banorëve dhe i gjësë së gjallë, duke bërë të ditur se 15 familje janë evakuuar. “Asnjë nga banesat deri në këto momente nuk është prekur nga zjarri”, deklaroi ai.

Sipas tij, ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndihmuar në mbajtjen e zjarrit brenda perimetrit të menaxhueshëm, ndërsa forcat në terren do të vijojnë punën gjatë natës, nëse do të jetë e nevojshme, për eliminimin e plotë të vatrës.

“Deri tani sipërfaqja e djegur mendoj që është diku tek 15 hektarë, në mos më shumë. Kemi më shumë djegie sipërfaqësore se djegie të thellë”, tha Cara.

Ai shtoi se akomodimi i familjeve të evakuuara do të bëhet nga Bashkia Mallakastër, ndërsa banesat e tyre vijojnë të jenë të paprekura nga flakët.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›