Zjarri në Riban, largohet rreziku për zonat e banuara

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Rreziku për zonat e banuara në fshatin Riban, bashkia Mallakastër, është larguar pas ndërhyrjes së strukturave operacionale për shuarjen e zjarrit.
Agjencia për Media dhe Informim (MIA), ndau pamje nga ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit.
Në operacion është ndërhyrë nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa në terren kanë vijuar punën mjetet zjarrfikëse.
MIA bën të ditur se, në lidhje me situatën e krijuar nga zjarri në fshatin Riban, Bashkia Mallakastër, aktualisht rreziku për zonat e banuara është larguar, falë ndërhyrjes në kohë të strukturave operacionale në terren, përfshirë mjetet zjarrfikëse dhe ndërhyrjen nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura.
Si masë parandaluese dhe për garantimin e sigurisë së banorëve, 15 familje nga zona e prekur u evakuuan përkohësisht.
Strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës dhe punën për kontrollin e plotë të vatrës së zjarrit, në koordinim me Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse dhe njësinë vendore.
/gj.m/r.e/a.f/