E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në kompleksin pranë QSUT, Cara: Situata mbetet problematike. Ende herët për shkaqet

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së martës, 14 prill, një pallat 12-katësh në kompleksin pranë spitalit “Nënë Tereza” (QSUT), ku ndodhen edhe konviktet e studentëve të mjekësisë dhe infermierisë. 

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, në një prononcim për median, deklaroi se është ende shumë herët për të folur mbi shkaqet e zjarrit, por theksoi se forcat zjarrfikëse janë angazhuar maksimalisht në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Emergjencat Civile për lokalizimin e flakëve. 

“Zjarri tashmë është nën kontroll, por nuk mund të themi se është fikur plotësisht, pasi po kontrollohet në çdo drejtim për të shuar çdo vatër brenda banesave. Kemi bërë të mundur izolimin e flakëve për të mos u përhapur në godinën ngjitur,” u shpreh Cara. 

Ai bëri të ditur se mbi 50 zjarrfikës janë angazhuar në operacion, të ardhur nga Tirana, Vora, Kamza, si dhe forcat zjarrfikëse të ushtrisë. Sipas tij, informacioni për zjarrin është marrë në orën 16:52 nga salla operative e Policisë së Shtetit, dhe menjëherë është komunikuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Emergjencave Civile dhe Ministrin e Brendshëm, të cilët ndodhen në vendngjarje. 

“Ende nuk mund të flasim për apartamentet e dëmtuara, por zjarri ka përfshirë të gjithë seksionin e pallatit,” shtoi Cara, duke theksuar se situata mbetet problematike dhe ekipet zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe evakuimin e banorëve. 

Ky zjarr masiv ka shkaktuar panik tek banorët e zonës, ndërsa autoritetet janë të angazhuara për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›