Zjarri te “Farmacia 10”, Brataj: Situata është nën kontroll, banorët janë evakuuar

Drejtori i Përgjithshëm i Urgjencës, Skënder Brataj, në një deklaratë për RTSH, ka bërë të ditur se si pasojë e zjarrit masiv pranë “Farmacisë 10”, janë trajtuar rreth 11 pacientë në shërbimet e urgjencës, toksikologjisë dhe djegie-plastikës.
Sipas tij, një pacient është shtruar në repartin e djegie-plastikës me djegie rreth 15% të trupit, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 4 të tjerë po trajtohen në toksikologji. Disa pacientë të tjerë kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë dërguar në banesë. Po ashtu, një nënë me probleme astme është transportuar për trajtim.
Brataj theksoi se aktualisht 6 pacientë janë të shtruar, por nuk ka asnjë rast në gjendje kritike apo me kod të kuq.
“Deri në këto momente midis urgjencës, sëmundjeve të brendshme toksikologjisë dhe djegie-plastika janë rreth 11 pacient, nga të cilët 1 është i shtruar tek djegie-plastika me djegie rreth 15% dhe jashtë rrezikut për jetën, janë 4 tek toksikologjia ndërsa disa të tjerë janë mjekuar dhe janë përcjellë për në banesë. Kemi transportuar një rast që ishte një nënë që vuante nga astma. Gjendja për tani janë rreth 11 pacientë nga të cilët 6 janë të shtruar por nuk asnjë kod të kuq apo rrezik për jetën. Në pallat janë bërë disa herë kontrolle, zjarri është nën kontroll dhe nuk rezulton asnjë banor që të jetë më në pallat. Me një zjarr të këtyre përmasave është një fat i madh një nuk pati viktima, apo numër të madh dhe fatmirësisht zjarrin e kemi nën kontroll. Për nga dimensioni gjendja do të ishte më katastrofike, qoftë numrin, qoftë numrit të banorëve në një pallat si ky”, u shpreh Brataj.
Ai shtoi se në vendngjarje janë kryer kontrolle të përsëritura dhe se zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa të gjithë banorët janë evakuuar dhe nuk ndodhet askush në ndërtesë.
Shërbimi i Urgjencës, zjarrfikësit dhe policia vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në vendngjarje për menaxhimin e situatës dhe pasojave të mundshme nga tymi dhe lëndët kimike të djegies.
“Shërbimi i Urgjencës do të jetë prezentë, kemi personelin, zjarrfikësit, policinë të cilët kanë të bëjnë me zjarrin, me tymin, me lëndët kimike që shkaktohen nga djegia. Jemi në dispozicioni për vet personelin, me një ekip në vend ngjarje dhe në gatishmëri”, tha ai.
/rtsh.al/