Zjarri përfshiu pallatin në Tiranë, Ministria e Mbrojtjes: S’ka persona të lënduar, po ndjekim situatën deri në normalizimin e saj

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën mbi zjarrin që përfshiu një kompleks banimi në Tiranë ku u angazhuan dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe personel operativ në terren.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, fatmirësisht nuk raportohet asnjë person i lënduar si pasojë e këtij zjarri.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Bashkia Tiranë ka operuar me kapacitete të plota, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe Bashkia Kamëz me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, si dhe Bashkia Vorë me dy mjete dhe 10 efektivë.
Në njoftimin e saj Ministria e Mbrojtjes thekson se Forcat e Armatosura janë angazhuar me katër mjete zjarrfikëse, 26 efektivë dhe një helikopter Cougar, ndërsa Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ka mbështetur operacionin me tre autobote uji.
“Strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme deri në shuarjen e plotë të zjarrit dhe normalizimin e gjendjes.
Operacioni i shuarjes po vazhdon me koordinim të plotë mes të gjitha institucioneve të përfshira, sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes“, thekson në njoftimin e saj Ministria e Mbrojtjes.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të situatës së krijuar nga zjarri në një kompleks banimi në kryeqytet, janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe personel në terren. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar si pasojë e zjarrit.
Bashkia Tiranë ka operuar me kapacitete të plota, si në mjete ashtu edhe në personel. Në ndihmë janë bashkuar edhe Bashkia Kamëz me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, si dhe Bashkia Vorë me dy mjete dhe 10 efektivë.
Gjithashtu, Forcat e Armatosura janë angazhuar me katër mjete zjarrfikëse, 26 efektivë dhe një helikopter Cougar. UKT ka mbështetur operacionin me tre autobote uji.
Strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme deri në normalizimin e saj të plotë.
/rtsh.al/