E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri vijon të përhapet në fshatrat e Matit, rrezikohen banesat

Situata e krijuar nga zjarri në fshatrat e Ulzës, në Bashkinë Mat, mbetet problematike. Për shkak të përhapjes së perimetrit të zjarrit në një rreze prej rreth 5 kilometrash, rreziku u është afruar banesave.

Dy stane janë kërkuar të evakuohen për shkak të rrezikut që paraqet zjarri, i cili po përhapet me shpejtësi edhe si pasojë e erës së fortë në zonë.

Në terren ndodhen dhjetëra forca të zjarrfikësve, Shërbimit Pyjor, Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura dhe vullnetarëve.

Pavarësisht ndërhyrjes intensive, vazhdon të jetë e vështirë ndalimi i përhapjes së flakëve.

Situata është rënduar edhe nga tymi i dendur që ka përfshirë zonën. Ky tym kufizon fushëpamjen dhe rrit rrezikun e asfiksimit për forcat që ndodhen në terren.

Ndërhyrja vazhdon edhe nga ajri me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes. Megjithatë, deri tani flakët nuk janë ndalur dhe zjarri vijon të përhapet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›