Zjarrvënia, Rama: Gjykatësit në rrethe mos vazhdojnë me avazin e mosndëshkimit të këtij krimi barbar

Kryeministri Edi Rama, teksa ka përgëzuar punën e Policisë së Shtetit për arrestimin e disa zjarrvënësve, ka bërë edhe një herë thirrje për dënimin e tyre sipas Kodit Penal. Në një postim në Facebook, teksa ndalet te zjarri që përfshiu masivin me pisha në Laç, Rama tha se gjykatësit në rrethe nuk duhet të vazhdojnë “avazin e vjetër” të mosndëshkimit të një krimi të tillë.
“Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg”, shkruan Rama.
Kryeministri përgëzoi po ashtu edhe punën e bërë nga Agjencia e Mbrojtjes Civile.
“Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre”, përfundon postimin e tij Rama.
/rtsh.al/