E Martë, 3 Nëntor 2026

Dita Evropiane e Viktimave të Totalitarizmit, Hoxha: Historia e komunizmit u shkrua nga kupola e regjimit

Data 23 gusht shënon ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKPK), Çelo Hoxha, në një intervistë për gazetaren e RTSH, Flutura Tota, deklaroi se historia e komunizmit është shkruar nën urdhrat e regjimit.

Ai u shpreh se nga periudha komuniste mungojnë dokumente zyrtare e foto të vendeve ku të burgosurit janë torturuar.

“Historia e komunizmit gjatë regjimit komunist u shkrua e kontrolluar nga kupola e regjimit. Pjesa më e mirë e historisë apo pjesa e persekutimit nuk njihet. Që kur filluam 13 vjet më parë kemi nisur një kolanë botimesh me kujtimet e personave të persekutuar, të burgosur, të internuar, të dëbuar etj., sepse kjo është një pjesë e historisë që nuk e gjejmë në dokumente, vuajtjet, torturat, fatet e tyre personale. Janë botuar 8 vëllime me intervista. Këtë vit del botimi i 9-të,” tha Hoxha.

Drejtuesi i ISKPK-së u ndal te Kampi i Tepelenës, mbi të cilin është publikuar dhe një film vitual dokumentar. Hoxha deklaroi se për Kampin e Tepelenës nuk ka asnjë akt themelimi ligjor apo administrativ të krijimit.

“Kemi bërë filma dokumentarë, një prej të cilëve është për kampin e Tepelenës. Është film virtual i ngritur mbi dëshmitë që kemi mbledhur. Kemi formuar një histori të këtij kampi.

Për vitet e para, sidomos për internimet, burimet janë të pakta, dokumentimi ka qenë i parregullt dhe në periudhën 1944–54 internimet kryheshin në mënyrë të paligjshme, nuk kishte ligj për internimit.

Nuk e dimë aktin e themelimit ligjor apo administrativ të krijimit të Kampit të Tepelenës. Kush e vendosi? Nuk e dimë. Nuk kemi gjë. mund të jetë bërë gojarisht.

Ne punojmë në disa plane. E para është kërkimi shkencor, studimi, botimi. Pastaj punojmë me publikimin në forma të ndryshme, konferencat shkencore, simpoziumet, ngjarjet e tjera publike, aktivitetet me të rinjtë, me shkollat. Kemi marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, të cilën e kemi rinovuar dhe kryejmë prej vitesh aktivitete të përbashkëta me institucionet arsimore.

Targetimi i rinisë është përmes mënyrave të reja digjitale. Po merremi me zgjerimin e disa rrjeteve sociale”, tha ai për mikrofonin e RTSH.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›