Zjarret në Laç/ Prefekti Prendi: Balla do çojë në Parlament ligjin e ri për piromanët, 10–15 vite burg për zjarrvënësit

Ligji për piromanët do të ashpërsohet me iniciativë të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Ndryshimet do i çohen së shpejti Parlamentit dhe ato parashikojnë ndëshkimin e piromanëve me 10–15 vite burg.
Deklarata është bërë nga Prefekti i qarkut Lezhë, Gjergj Prendi, në një intervistë me gazetarin e RTSH, Norel Zaimin.
“Është një iniciativë e Ministrisë së Brendshme për intensifikimin e punës në parlament. Do ketë së shpejti një ligj të ri për të gjithë piromanët, zjarrvënësit e qëllimshëm, kriminelë. Masat do jenë nga 10-15 vjet burg për të gjithë ata që shkaktojnë zjarre, që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Është iniciativë parlamentare e iniciuar nga Ministri Balla”, tha Prendi.
Ndalur te situata e zjarreve që përfshiu kurorën e gjelbër të Laçit, Prendi sqaroi se aktualisht ka vetëm një vatër aktive dhe forcat e ushtrisë po punojnë për ta shuar.
“Është një vepër shumë e rëndë. Personi është kapur dhe është i ndaluar. E rëndësishme është të theksojmë se masat e marra nga bashkia Kurbin, nga znj. Cara, institucioni prefektit, drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile janë në dispozicion të kësaj ngjarje.
Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri është 94 hektarë, por e rëndësishme është pjesa operacionale e këtij operacioni, gatishmëria e strukturave të shtetit, e MM, e MB, BASHKIA, PREFEKTI.
Aktualisht nuk ka situatë shqetësuese. Është një vatën e vogël në ver-lindje të Laccit. Janë 60 forca të ushtrisë, nuk është terreni i përshtatëm të ndërhyhet me makina zjarrëfikëse. Po punohet me pompa shpine. Është rrethuar e gjithë vatra dhe jemi drejt fjalës më të mirë që do thotë kryetarja e bashkisë drejt suksesit”, deklaroi Prendi.
Për mikrofonin e RTSH-së ka folur edhe kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda, Cara e cila teksa dënoi aktin u shpreh se nevojitet ashpërsim i ligjit për piromanët.
Ajo theksoi se qytetit i është shkaktuar një dëm i jashtëzakonshëm në kurorën e gjelbër.
“Në fakt për gjithë qytetin ka qenë një situatë e jashtëzakonshme. Është përfshirë nga flakët e gjithë kurora e gjelbër që rri mbi qytetin e Laçit.
Afër objektit të kultit, një prej objekteve me të cilat krenohet qyteti, falë strukturave të shtetit, bashkitë përreth që u gjendën pranë, prefektin, Ministrin e Mbrojtjes, dhe sot jemi në një situatë që kemi fjalët e mira. Situata po monitorohet nga forcat e ushtrisë dhe shtabi i emergjencave të bashkisë Kurbin për të parë perimetrin e tokës ku ka marrë frymë shkatërrimtare për qytetin. Qytetit të Laçit kjo dorë e zezë ku duhet të bëj një apel të fortë, duhet marrë masë ndëshkuese, nuk preket prona e një personi, por prona e gjithë qytetit.
Patjetër që duhet të ketë masa më drastike për këto lloj ngjarjesh. Pas një situate të vështirë që kaluam në 2017, ku strukturat kanë bërë mbjelljen e kurorës së gjelbër, sot jemi në një situatë tmerri për të përjetuar edhe njëherë 2017 dhe qytetin e zhveshur nga kurora që ka qenë frymëmarrje e qytetit. Situata fatmirësisht është nën kontroll. Kemi dëme të jashtëzakonshme në kurorën e qytetit”, përfundoi Cara.
/rtsh.al/