Zjarrvënie në Fier, arrestohen dy persona

Tre persona janë identifikuar nga Policia e Fierit si të dyshuar për zjarrvënie në zona të ndryshme të qarkut Fier, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Pas njoftimeve për disa vatra zjarri në territorin e qarkut Fier, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, kryen veprime të shpejta hetimore dhe operacionale, duke bërë të mundur identifikimin e tre personave të dyshuar.
Në pranga kanë rënë P. Z., 66 vjeç, i dyshuar për zjarrvënien në fshatin Ade, Fier, si dhe D. K., 62 vjeç, i dyshuar për zjarrvënien në fshatin Kashisht.
Ndërkohë, 35-vjeçari D. M. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në fshatin Drizë, Fier.
Sipas hetimeve, zjarret dyshohet se kanë shkaktuar dëme në sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte. Gjithashtu, flakët kanë krijuar rrezik për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga zjarri, veçanërisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.