E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat e izoluara,MB: Po vijojnë operacionet e ndihmave

Ministria e Brendshme ka njoftuar sot se shtabi qendror i Emergjencës Civile dhe shtabet rajonale në prefektura në kushtet e një moti të vështirë që ka pushtuar të gjithë Europën dhe ku ka me qindra viktima, po vijojnë organizimin dhe drejtimin e operacioneve të ndihmës në të gjithë territorin e zonave në vështirësi në vendin tonë.
 

Në një konferencë për shtyp zëdhënësi Fatmir Konja ka shtuar se nëpërmjet angazhimit të 49 borëpastrueseve, 40 fadromave dhe disa mjeteve me zinxhirë të ushtrisë është bërë e mundur mbajtja hapur për komunikim e të gjitha akseve kombëtare si dhe pjesa kryesore e rrugëve rurale të zonave nën reshjet e dëborës.
 

“Ekipi i helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë ka realizuar 38 fluturime për transportin e qytetarëve në emergjencë shëndetësore në rrethet Tropojë, Malësi e Madhe dhe Kukës. Flota e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka realizuar 8 misione fluturimi për furnizimin me mallra ushqimore dhe higjienike në rrethet Librazhd dhe Peshkopi” ka theksuar Konja.
 

Ai ka shtuar se mjetet e mekanizuara të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë transportuar dhe shpërndarë 1120 pako ushqimore në rrethet Pukë, Tropojë dhe Kukës. “Monitorimi dhe komunikimi me të gjitha rajonet kryhet nëpërmjet kryetarëve të komunave me pikat e kontaktit në çdo shtab prefekture dhe me shtabin qendror të emergjencave në numrat: 2233106, 2233090 dhe 0694110198. Operacionet e ndihmës dhe shpëtimit të çdo qytetari do të vazhdojnë pa ndërprerje në orët dhe ditët në vijim deri në tejkalimin e kësaj situate të shkaktuar nga ky mot i vështirë” ka përfunduar Konja.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›