Zonat e mbrojtura, Jole: Potencial turistik, nevojitet miradministrimi dhe promovimi i tyre

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ U zhvillua në Pogradec takimi i radhës i Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore “Për peizazhin e mbrojtur tokësor dhe ujor”.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme për miradministrimin e zonave të mbrojtura, si pasuri unikale të natyrës së bukur të këtij qarku, të cilat shtojnë potencialin turistik të Pogradecit e gjithë rajonit.
Në takim, ku ishte e pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, u vu theksi te domosdoshmëria për gjetjen e burimeve alternative për hartimin e Planeve të Menaxhimit për zonat e shpallura të mbrojtura dhe bashkëpunimin e ngushtë me Universitetin “Fan S. Noli”.
Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Gjergji Koki prezantoi punën e kësaj drejtorie, ku u diskutua mbi arritjet domethënëse të realizuara dhe problematikat e konstatuara.
Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore është organi mbikëqyrës për zbatimin e Planeve të Menaxhimit në Zonat e Mbrojtura, i cili synon nxitjen e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, ruajtjen e ekosistemit e diversitetit biologjik, si dhe reduktimin e presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore.
1 nga 10/r.e/a.f/