Zonat turistike, zbardhet tabela me çmimet fillestare të tokave
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka përfunduar hartimin e pjesës më të madhe të çmimeve të tokave në zonat turistike dhe që janë brenda vijave të verdha. Për këtë ka përfunduar studimi në Sarandë, Durrës, Shëngjin si dhe në zonën e Liqenit të Shkodrës. Vihet re se çmimet janë thuajse të përafërta, me një mesatare prej 22 mijë lekësh, me përjashtim të zonës së Durrësit, ku vlera e truallit shkon në 37 mijë lekë. Me këtë hartë i hapet rruga dhe nisjes së kompensimit fizik të ish-pronarëve. Nëpërmjet vlerësimit të tokës së shpronësuar dhe me vlerësimin e sipërfaqes që jepet për kompensim, por me vlerë të njëjtë me tokën e kërkuar. Ndërsa këto çmime mund të shërbejnë dhe për kompensimin financiar të vitit ku jemi aktualisht. Ndërsa janë ndarë në katër kategori, vihet re mungesa e të dhënave për një sërë zonash. Kjo dhe për shkak se të dhënat nga agjencitë private apo pushteti vendor nuk janë dhënë të plota. Vlerësimi i tokave është në vazhdim të studimit për hartimin e plotë të çmimeve të tokës. Burimet kanë bërë të ditur se çmimet në momentin që do të përfundojnë së studiuari do të kalojnë dhe për miratim në mbledhjen e qeverisë. Ndërsa kjo do të mbyllë dhe tiparin e hartës së çmimeve prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vend. Të gjitha zonat turistike janë vlerësuar në konceptin truall dhe janë ndarë në disa kategori. Kjo në varësi dhe të afërsisë me detin apo zonës së frekuentuar. Ekspertët kanë bërë të ditur se tashmë ka përfunduar studimi në 13 zona konkrete, ku është arritur marrja e informacionit. Por dhe në këto studime janë kategori të caktuara që ende nuk kanë përfunduar. Për këtë është duke u punuar në marrjen e të dhënave të nevojshme si prej agjencive të shitblerjes, ashtu dhe prej institucioneve të tjera.
Në qytet
Rreth katër muaj më parë qeveria miratoi çmimet e trojeve në qarqet e Fierit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës. Tabelat tregonin sa shkon çmimi i truallit urban brenda në qytet, brenda vijës së verdhë, trojet në qytet dhe komunat, çmimin e tokës bujqësore, pyjore si dhe kullotat. Kjo bën të mundur që çmimet e tregut për trojet e mësipërme të jenë të përcaktuara qartë, pasi në këtë mënyrë nxiten dhe investimet vendase dhe ato të huaja. Regjistrimi i trojeve dhe i çmimeve të tyre ka qenë kërkesë e hershme jo vetëm e opozitës, por edhe e disa deputetëve të maxhorancës, me idenë se me regjistrimin e tyre do të bëhet e mundur shitblerja, ose dhënia me qira e tokës me çmimin e saj real. Duket se e njëjta gjë ka filluar të ”lëvizë” edhe në lidhje me tokat në bregdet. Përcaktimi i këtyre çmimeve, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me shumë institucione të tjera, lokale dhe qendrore, ka qenë një proces i gjatë, por që ka hasur dhe probleme të shumta sa i takon mënyrës së vlerësimit të këtyre trojeve.
Vlera
Vlera është përcaktuar duke pasur parasysh trojet rentabël, duke përpunuar të gjithë informacionin e çmimeve të shitjes, si ai i marrë nga Enti Kombëtar i Banesave, ai i Drejtorive të Tatim-Taksave si dhe tregut të lirë. Për këtë të fundit, Ministria është bazuar kryesisht te të dhënat e marra nga agjencitë imobiliare apo anketimeve dhe për të nxjerrë një përfundimtare, ekspertët që kanë përgatitur projektvendimin janë mbështetur kryesisht te mesatarja e çmimeve i dhënë nga ky burim informacioni. Për trojet e fshatrave, për të cilat Enti i Banesave nuk ka një çmim, “është aplikuar çmimi mesatar i rrethit sipas të dhënave të EKB-së. Po kështu, edhe në rastin e bashkive që kanë në administrim fshatra është aplikuar çmimi i qytetit përkatës.
Çmimet e deritanishme për zonat turistike
Terrenet urbane
Gjiri i Sarandës 17427 deri në 25479 lekë
Gjiri i Durrësit 37262
Shëngjini 25 510
Bregu i L. Shkodër 21564
Zona 1 Zona 2 Zona 3
Ksamil 15129
Kakome 9746 7580
Gjiri i Sarandës 1725 479
Uji i Ftohtë 27741
Golemi 17158 13339 10879
Karpeni 14117 10976 8516
Spilleja 11075 8614 6153
Gjiri i Durrësit 37262
Gjiri i Lalëzit 13866 11803 8633
Shëngjini 25510
Gjiri i Rodonit-Laç 4904
Gjiri në lumin Mat 4904
Bregu i liqenit 21564
(Shifrat janë të gjitha në lekë)
11 Korrik 2008