E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH-ja zbuloi abuzime me pronat në bregdet



Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi pak ditë më parë 150 milionë lekë të rinj shkelje në bashkitë dhe komunat për ndërtimet pa leje dhe për shitblerje të truallit të pronave publike. Abuzimet janë evidentuar nga KLSH-ja për vitin 2007 kryesisht në zonat bregdetare. Në Radhimë, Orikum, Vlorë, por edhe në komunën Dajt, janë piketuar shkelje nga KLSH-ja, që bien në kundërshtim me Ligjin 7501 për tokën, por edhe për aktet e shitblerjeve që janë bërë në formë abuzive. Sipas kontrollit të KLSH-së, për regjistrimin e pronës dhe në fushën e urbanistikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kontrolle në Këshillin e Qarkut Vlorë, Korçë, Komunën Dajt dhe Bashkinë Orikum. Shkeljet financiare me dëm ekonomik në Komunën e Dajtit kapin shifrën 149 milionë lekë, ndërsa në Bashkitë Vlorë dhe Korçë ky dëm nuk shkon më shumë se 2 milionë. Pjesa më e madhe e këtij dëmi është shkaktuar nga mospagimi i 1% të vlerës së investimit "për financimin e studimeve urbanistike", në kundërshtim me nenin 51, të Ligjit 8405, për urbanistikën, me Ligjin nr. 8982 për sistemin e taksave dhe tarifave vendore. Në Qarqet Vlorë dhe Orikum, nga komisionet e ndarjes së tokës janë dhënë akte të marrjes së tokës në pronësi apo përdorim për sipërfaqen 123.14 ha për fshatin Orikum, Tragjas dhe Radhimë, të ndara në zonë me përparësi në zhvillimin e turizmit, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 88 datë 1 mars 1993.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›