E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” mirëpritet nga lexuesi rumun si një monografi edhe për zezonat e Elena Çausheskut

Publikohet në rumanisht best-selleri i publicistit Fahri Balliut “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Vetë autori, së bashku me shkrimtarin me famë botërore, Selman Ruzhdi, kanë qenë të ftuarit zyrtarë të panairit vjetor të librit, i cili sapo përfundoi në Bukuresht. Duke komentuar rrëfimin e Balliut për “Elena Çausheskun shqiptar”, mediat rumune i kushtuan vëmendje të posaçme paraqitjes zyrtare të librit nga shtëpia botuese “Humanitas”.
Në të njëjtën kohë, në rumanisht është publikuar edhe romani i Balliut “Panteoni i Zi”, nga shtëpia botuese “Vremea”

Politologu Vladimir Tismaneanu: “Libri i Balliut, skaneri më i mirë që i është bërë ndonjëherë një personazhi që ndihmoi në jetëgjatësinë e komunizmit”

Gazeta “Romania Libera: “Lexuesit rumunë do ta lexojnë këtë libër, duke bërë në mënyrë të pashmangshme krahasimin me Elena Çausheskun”

Përkthyesi Tiberius Puiu: “Libri, panoramë, si komunizmi shqiptar, ashtu edhe ai rumun, u zhvilluan nën ndikimin e fqinjëve; respektivisht të rusëve dhe të serbëve”

“Botimin e këtij libri e konsideroj një ngjarje të shënuar për lexuesin rumun. Qëkur Shtëpia Botuese “Humanitas” më njoftoi se në planin botues ishte ky libër, kam reaguar i ekzaltuar, i ngazëllyer. E dija ekzistencën e këtij libri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ngazëllova sepse, lexuesi rumun do të kuptojë më mirë edhe historinë e vendit të tij dhe rolin e Elena Çausheskut, gruas së diktatorit Nicolae Çausheku, në historinë moderne të Rumanisë. Enver Hoxha ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me jetëgjatësi të pakrahasueshëme në Europë, si ai i Koresë së Veriut. Në të gjitha veprimet e tij, ai kishte pranë Nexhmijen, “shoqen e luftës dhe të jetës””, tha në fjalën e mbajtur gjatë promovimit të librit, politologu i njohur rumuno-amerikan Profesor Tismaneanu

“Enver Hoxha ka qenë një lider i tillë: një kombinim i kapedanit tribal me atë të burokratit bolshevik, dogmatik e mizor, stalinist i kategorisë më të ashpër (nëqoftëse pranojmë se do të ekzistonte përshkallëzim në këtë algoritm të mos respektimit të ligjit), maniak i spastrimeve periodike, relativisht i kultivuar në krahasim me militantët proletarë, Hoxha ia doli mbanë të sfidojë së pari Josip Broz Tito-n (me ndihmën e Moskës) dhe pastaj Nikita Sergeieviç Hrushiov-in (me ndihmën e Mao-s). Ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me një intensitet dhe jetëgjatësi të pakrahasueshëm në Europë (ekuivalenti mund të ishte despotizmi aziatik i Koresë së Veriut)”. Kështu shkruan politologu dhe profesori i shquar rumuno-amerikan Vladimir Tismaneanu në parathënien që i bën librit “Zonja e zezë” të shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu i cili ka vetëm pak ditë që ka dalë në gjuhën rumune. Njohës i mirë i komunizmit dhe i filozofisë shkatërruese që ky sistem solli në vëndet që e jetuan atë, Tismaneanu vazhdon më tej duke e cilësuar librin e Balliut si skanerin më të mirë që i është bërë ndonjëherë një personazhi , që ndihmoi në jetëgjatësinë e këtij sistemi siç ishte Nexhmije Hoxha duke bërë paralelizim mes saj dhe Elena Çausheskut. “Ashtu si Elena Çaushesku ëndërroi të ishte kimiste, Nexhmija ëndërroi të ishte ideologe. Ismail Kadare ka të drejtë, në parathënien aq të nevojshme, për librin vërtet tejet tërheqës të Fahri Balliut, se si, në hirearkinë e errët „të shoqeve të jetës dhe të luftës “, Nexhmije Hoxha shfaqet si më e zeza.Në rast se lëçitësit dëshirojnë të shohin se si do të reagonte Elena po qe se do të kishte mbetur e ve, mund të merrni vesh gjëra interesante nga reagimet e Nexhmijes. Ky libër nuk është vetëm instrument njohjeje historike, por dhe një paralajmërim. Znj.Hoxha nuk ka shprehur askurrë as shenjën më të vogël të keqardhjejes. Ideja e njohjes së fajit dhe e ndjesës janë të huaja për të. Si dhe Paul Niculescu-Mizil, Ştefan Andrei, Ion Stănescu dhe të tjerë nostalgjikë komunistë që nuk e njohin ndjesën, e veja e Enver Hoxhës, guxon të tregojë me gisht, fyen dhe deklarohet e persekutuar”, shkruan Tismaneanu.
Në shtypin rumun të javëve të fundit botimi i “Zonjës së zezë” ka ngjallur diskutime mbi raportet që vendet që jetuan komunizmin duhet të mbajnë me të shkuarën. Personalitete të njohur të jetës akademike dhe publicistike rumune, e quajnë “Zonjën e Zezë” si një manual të shenjtë, të cilit politika duhet t’i referohet për të mos lejuar rikthimin e personazheve të tillë. Tre ditë më parë libri pati promovimin e vet në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Librit “Gaudeamus”, i cili mbahet çdo vit në Rumani, ceremoni në të cilën ishte i pranishëm edhe vetë autori Fahri Balliu. “Sinistra domana Nexhmije Hoxha”  - “Zonja e zezë Nexhmie Hoxha” e shkrimtarit dhe publicistit Balliu është botuar nga Shtëpia Botuese “Humanitas”, më e madhja në Rumani, e cila është edhe botuesja e librave të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, nën kolanën “Histori Bashkëkohore”, e drejtuar nga profesori dhe politologu i shquar rumuno-amerikan, Vladimir Tismaneanu, profesor i Universitetit të Maryland-it në SHBA, si dhe nga Cristian Vasile. Promovimi i librit të Fahri Balliut, u konsiderua nga shtypi rumun si një ngjarje e shënuar për Panairin Ndërkombëtar të Librit “Gaudeamus 2009”. Bashkë me mbërritjen e shkrimtarit të madh me famë botërore në këtë Panair, Salman Ruzhdi, mbërritja e shkrimtarit shqiptar do të hynte në vëmendjen e gazetave më të rëndësishme rumune si: Romania Libera, Gandul, Evenimentul Zilei, Observator Cultural, por edhe mjaft agjenci lajmesh, radio dhe kanale të ndryshme televizive, raportuan për evenimentin. Gazeta “Romania Libera” shkruan: “Një libër i historisë bashkëkohore është edhe libri ‘Zonja e zezë’ vejusha e diktatorit shqiptar Enver Hoxha" i Fahri Balliut, i promovuar në prani të autorit. Nga vendet lindore, Shqipëria ka përjetuar diktaturën më të egër, që ka tejkaluar çdo lloj imagjinate, izolacionizëm dhe paranojë, si ajo e Çausheskut. Me siguri që lexuesit rumunë do ta lexojnë këtë libër, duke bërë në mënyrë të pashmangshme krahasimin me Elena Çausheskun”. Publicisti Fahri Balliu dha edhe një intervistë për kanalin publik TVR Cultural, si i ftuar special në emisionin e lajmeve të datës 29 nëntor 2009.
Në promovimin e librit merrnin pjesë profesori i shquar, politologu Vladimir Tismaneanu, drejtoresha e Departamentit të Promovimit, në kuadrin e Shtëpisë Botuese “Humanitas”, Gabriela Maaz, përkthyesi i librit Tiberius Puiu, sekretar i parë i Ambasadës sonë në Bukuresht Luan Topçiu, personalitete të rëndësishme të jetës publike rumune, gazetarë, shkrimtarë, intelektualë, studentë, diplomatë, massmedia, pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe një publik i panumërt. Profesor Tismaneanu do të shprehej: “Botimin e këtij libri e konsideroj një ngjarje të shënuar për lexuesin rumun. Qëkur Shtëpia Botuese “Humanitas” më njoftoi se në planin botues ishte ky libër, kam reaguar i ekzaltuar, i ngazëllyer. E dija ekzistencën e këtij libri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ngazëllova sepse, lexuesi rumun do të kuptojë më mirë dhe historinë e vendit të tij dhe rolin e Elena Çausheskut, gruas së diktatorit Nicolae Çausheku, në historinë moderne të Rumanisë. Enver Hoxha ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me jetëgjatësi të pakrahasueshëme në Europë si ai i Koresë së Veriut. Në të gjitha veprimet e tij kishte pranë Nexhmijen, “shoqen e luftës dhe të jetës”. Shoqja Hoxha u bë drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ashtu si Elena Çaushesku ëndërroi të ishte kimiste e shquar, Nexhmija ëndërroi të ishte ideologe e shquar. Ismail Kadare ka të drejtë, në parathënien e këtij libri, vërtet tejet tërheqës të Fahri Balliut, se si, në hiearkinë e errët “të shoqeve të jetës dhe të luftës”, Nexhmije Hoxha shfaqet si më e zeza. Në rast se rumunët do të dëshironin të shihnin se si do të reagonte Elena po qe se do të ishte gjallë, mund të merrni vesh gjëra interesante nga reagimet e Nexhmijes sot në Shqipëri. Ky libër nuk është vetëm instrument njohjeje historike, por edhe një paralajmërim për rreziqet e komunizmit. Znj.Hoxha nuk ka shprehur askurrë as shenjën më të vogël të ndjesës dhe keqardhjes”. “Atmosfera në oborrin e sulltanit Enver ishte e mbuluar nga gënjeshtra, delir enkomiastik, sadizëm dhe hakmarrjet tribale. Anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, duke kontrolluar qasjen tek diktatori, duke i ndikuar vendimet, Nexhmija ishte bashkëfajtorja kryesore. Ato që thuheshin në pleniume apo në mbledhjet e Byrosë Politike diskutoheshin në shtëpi, duke ngrënë apo në kohën e shëtitjeve në parkun rezidencial të ruajtur nga Sigurimi. Shtëpia Botuese Humanitas meriton nderimin tonë për botimin e këtij libri, me përkthimin e mrekullueshëm të Tiberius Puiu-t. „Zonja e zezë” e Fahri Balliut është një libër me një hetim kaplues të llahtarit të një universi politik që prodhon tmerr, i zhytur në urrejtje, në hakmarrje dhe zili të thellë”, u shpreh profesor Tismaneanu. Më pas ai iu drejtua publikut pjesëmarrës në promovim, duke i sugjeruar ta lexojë këtë libër të mrekullueshëm, të shkruar me shumë talent, me argumentime shkencore dhe sugjestiv. Ndërsa Tiberius Puiu, publicist dhe njohës i shquar i komunizmit dhe përkthyes i këtij libri do të shprehej: “Pasi e lexova këtë vepër, kuptova se në faqet e tij ngërthehet historia e komunizmit shqiptar, një histori e ngjashme me atë të diktaturës komuniste në Rumani. Ja vetëm dy shembuj: si komunizmi shqiptar, po edhe ai rumun, janë zhvilluar fillimisht nën ndikimin e fqinjëve, të rusëve, respektivisht të serbëve, duke i shërbyer në sfond afirmimit të idesë imperialiste të këtyre popujve. Flitet fare pak te ne se anëtarë të Partisë Komuniste Rumune ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në këtë kontekst, komunistët rumunë dhe shqiptarë e kanë tradhtuar interesin kombëtar, duke u falur pushtuesve territore etnike, siç janë Kosova dhe Besarabia”. “Në të njëjtën kohë, libri është një shembull i mirë për procesin e luftës kundër komunizmit në Shqipëri, aktivitet të cilit z.Balliu i kushtohet me të gjithë përpjekjet. Dalja e këtij libri në rumanisht do të kontribuojë në zhvillimin e demokracisë në Rumani”, do ta mbyllte fjalën e vet zoti Tiberius Puiu.
Kritika rumune e quajti këtë libër një hetim të thellë të një universi politik që prodhon tmerr dhe hakmarrje. “Në këtë libër nuk është bota e intrigave florentine, por ajo e pasioneve klanore të kamufluara në një llafollogji dialektik”, thotë prof Tismaneanu. Monografia “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” është një nga librat best-seller në historinë e botimeve shqiptare. I botuar për herë të parë në vitin 2005, ai është një nga best-seller-at në historinë e librit në Shqipëri. Vepra është ribotuar mbi tetë herë në gjuhën shqipe. Suksesi i botimit të këtij libri në gjuhën rumune, vjen vetëm pak muaj pasi libri pati një jehonë të madhe në shtypin francez, pas botimit që iu bë nga shtëpia botuese e mirënjohur franko-zvicerane “Favre”.
“Zonja e zezë” pritet të njohë një përkthim të dytë në anglisht dhe një botim të ri, nga një ent prestixhioz i publikimeve.
Botimi i këtij libri në gjuhën rumune ka ndodhur njëkohësisht me botimin e një tjetër romani që rrëfen “bllokun e Shqipërisë socialiste” nga shkrimtari Fahri Balliu. Shtëpia botuese e mirënjohur rumune “Vremea” hodhi në treg për lexuesit rumunë, romanin “Panteoni i zi”, një libër që vijon të jetë në listën e librave më të shitur nga shtëpia botuese “Favre”. Botimi i këtyre dy librave të autorit Fahri Balliu në gjuhën rumune mund të konsiderohet një sukses edhe për letrat shqipe, letërsia e të cilës po bëhet e njohur edhe në vende që vijnë nga të kaluara të ngjashme, siç është Rumania.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›