Njeriu-katastrofë Rama, në Athinë për protesta kundër OSBE-së
30 të paguarve për të bllokuar hyrjen e godinës ku po mbahej samiti i OSBE-së, Rama s’u ka premtuar qofte e birra si në Tiranë, por sufllaqe e xaxiq, siç është tradita e bakshisheve tek terroristët grekë të “17 nëntorit”. Sulmi kundër OSBE-së, në të njëjtën ditë, kur presidenti rus kërkon shpërndarjen e saj, si një organizatë që po shqetëson demokracinë e tyre të cunguar.
Qendrimet antikombëtare të Ramës po shkaktojnë antiprotesta brenda PS-së. Dje në Durrës, 1600 socialistë firmosën peticionin që kërkojnë ndërprerjen e bojkotit
Kryetari i Partisë Socialiste është shfaqur dje si njeriu-katastrofë i politikës shqiptare, si personazhi që s’lodhet natë e ditë, duke keqinformuar ndërkombëtarët, duke përpjekje për izolimin e ri të shqiptarëve, duke u kërkuar natë e ditë ndërkombëtarëve që të mos liberalizohen vizat. Dje në Athinë është regjistruar një stacion i turpshëm i njeriut-katastrofë, pagesa e 30 rekrutëve, të cilët janë vetëparaqitur si emigrantë që kërkonin t’u thoshin ministrave të jashtëm të OSBE-së, të mbledhur për ministerialin vjetor, se Shqipëria ishte një vend i destabilizuar e se OSBE-ja ishte një organizatë e blerë, përderisa kishte çertifikaur një palë zgjedhje të tilla. Protesta e turpshme ka pasur një kosto më të lartë, sesa kabareja me çadra në qendër të Tiranës, meqenëse në Athinë standardi nuk kanë qenë qoftet e birrat, por sufllaqet e xaxiqi, menuja greke që zbatohet rëndom nga sindikatat filokomuniste greke, nga Partia Komuniste Greke, nga anarkistët, bile edhe nga disa segmente të organizatës terroriste “17 nëntori”. Në krye të skemës organizuese kanë qenë dy figura të njohura të destabilizimit, Gramoz Ruçi, rekrut i ri dhe i vjetër i qarqeve antishqiptare të politikës greke, si dhe Taulant Balla, një rekrut i ri i politikave filosllave në Partinë Socialiste, gjithashtu i njohur për qendrimet antishqiptare, gjatë ekzilit të tij të përkohshëm në Rumani.
E veçanta e kryqëzatës qesharake të Edi Ramës kundër OSBE-së është se ajo po ndodh në të njëjtat ditë, kur presidenti i Rusisë Dimitri Medvedev po kërkon shpërndarjen e OSBE-së, si një organizatë që s’garanton më siguri, si dhe shpërndarjen ose ridimensionimin e NATO-s, për të njëjtat motive. Ndërkohë që Medvedev bën këtë kërkesë, heqja e vizave ka ndodhur për tre vende sllave ballkanike, që të treja, që s’janë ende anëtare të NATO-s. Në këtë gjeopolitikë, Edi Rama s’ka dilema dhe rreshtohet fort pro politikave filosllave dhe kundër organizatës që më së shumti ka mbikëqyrur dhe ndihmuar shtetin shqiptar që të mbërrinte rekordet demokratike që regjistroi në zgjedhjet e 28 qershorit.
Sa për kronikë, mund të themi se 30 rekrutët socialistë u përpoqën të bëheshin problematikë në zonen Elliniko, 10 km nga qendra e Athines, vendi ku po mbaheshin punimet dyditore te samitit të ministrave te jashtem te vendeve te OSBE-se, duke kërkuar të krijonin barrikadë për qarkullimin rrugor apo duke tentuar bllokimin e hyrjes së selisë ku po mbahej samiti i 17 i organizatës. Sipas burimeve te policise greke, si përpara edhe gjate tubimit te rekrutëve edvinistë, liderët e diplomacisë u sinjalizuan per pengesat e mundshme që mund të krijoheshin prej tyre
Por ndërkohë që mbahej pazari me sufllaqe e xaxiq në Athinë, Edi Rama duket se e ka të vështirë të kontrollojë strukturat e bllokuara partiake në Shqipëri, të cilat po ndjejnë se bojkoti po i paralizon dhe po e nxjerr PS-në jashtë hartës politike të vendit. Kështu, mbi 1600 anëtarë dhe militantë të degës socialiste në Durrës, kanë hartuar dhe nisur dje një peticion proteste drejt selisë ylberiste në Tiranë, ku i kërkojnë Edvinit, futjen pa asnjë hezitim të deputetëve në Parlament, pasi - sipas tyre - “bojkoti po prish imazhin e Shqipërisë, po vonon politikisht rreshtimin e vendit në krah të vendeve të tjera në BE, duke krijuar njëherësh imazhin e keq të një opozite e cila përballet rrugëve dhe jo në tempullin e demokracisë me maxhorancën qeverisëse”. Peticioni është mbështetur edhe nga ish-deputetët socialistë dhe më veteranët e PS në Durrës, si Bardhyl Agasi, Natasha Paço etj. Në peticion thuhet ndër të tjera se “jemi të lodhur me thirrjet për protesta, pasi ato janë shantazhe boshe nga politikanë karieristë, tashmë vota e 28 qershorit e ka përcaktuar fitimtarin, le ta lemë të ecë qeverinë, të zbatojë reformat dhe detyrat e vëna nga europianët, dhe deputetët tanë të futen pa asnjë ditë vonese në Parlement”.
Peticioni është sinjali i parë se protesta e paralajmëruar e 5 dhjetorit do të ketë probleme më të rënda sesa protesta e 20 nëntorit, dhe nga 3 mijë vetat e asaj dite, klithjet antishtetërore të 5 dhjetorit ka rrezik të mos marrin mbështetje më të madhe se të 2-300 rekrutëve të paguar.