Zotërinj, ju keni bjerrë shpresat tona
Në të gjithë vendin, nuk ka shqiptarë që të mos kalojë njëherë në ditë nëpër kokë, pyetjen: Ku është shteti?
Mos vallë shteti është vetëm për të vjelë taksat? Mos vallë shtetin duhet ta shohim tek policia, e cila në përgjithësi është e patrajnuar e aspak produktive? (për këtë është tregues i qartë mosbesimi që atë e karakterizon në popull).
Mos vallë shtetin duhet ta personifikojmë me spitalet tona “zhulanjose” e aspak shpresëdhënëse, apo tek politikanët tanë që s`kanë asgjë për të dhënë, përpos stilit të politikanit që aderon veç për karrige?! Ku duhet ta kërkojmë ne atë?
Detyra e shtetit është të garantojë siguri dhe përkrahje për shtresat e popullsisë ndaj, sot më shumë se kurrë, politikanët duhet të përpiqen për nxjerrjen e vendit nga ky kolaps ekonomik ku kemi hyrë, e jo të futen nëpër greva. A e kanë idenë se sa e zorshme është bërë sot të jetosh me punën e krahut?! A e dinë se sa kanë shkuar çmimet për asortimentet bazë të jetesës e se bëhet fjalë për mbijetesë e jo për luks?!...
Si paradoks, këta pseudopolitikanë, këlthasin gjoja për votën e popullit, por harrojnë faktin e thjeshtë se ky popull nuk ua ka parë hajrin asnjërës palë të politikës.
Në pak vite, ju politikanë, keni vënë aq pasuri e gëzoni aq atribute, sa një njeri i thjeshtë nuk mund t`i ëndërrojë.
Ju u jeni qepur pas karrigeve të parlamentit, jo me qëllimin për të ndryshuar imazhin e këtij vendi e as për të luftuar korrupsionin që ka mbirë ngado e që po merr jetë njerëzish, por për të bërë të mundur mbijetesën e atyre partive që nuk kanë as elektorat të qenësishëm, por veç militantë. Edhe nëse kanë pasur ndonjëherë anëtarë, ata me kohë u kanë lënë shëndetin, sepse e kanë kuptuar se kryetarët e tyre s`e kanë për gjë të ndërrojnë parti e të pjellin pseudoparti që mbahen në këmbë me paratë e këtij populli të nëpërkëmbure te varfër, gjer në atë shkallë sa tashmë nuk i intereson asgjë, veç faktit se a gdhihet gjallë në mëngjes.
Zotërinj, ju keni bjerrë shpresat tona, jeni majmur me djersën tonë e si argëtim keni zhdërvjelltësinë tuaj për të gënjyer sa herë që afrojnë zgjedhjet. Ju s`dini të maturoheni por veç të degradoni.
Kjo është politika juaj. Më e keqja është se ju nuk po e luftoni korrupsionin, por po e kultivoni atë. Juve keni klasin që të bëni politikë edhe me vdekjet e këtyre njerëzve që po lënë kockat gërmadhave e deteve, pa e vrarë mendjen se ishte pikërisht politika juaj e neveritshme që ata i vrau, jo veç një herë.