E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy fjalë për një mik që iku shumë shpejt dhe tepër larg

 

Dy fjalë për një mik që iku shumë shpejt dhe tepër larg

Piktori dhe regjisori Boris Ikonomi nuk është më në këtë jetë.

Shpesh, në takimet me miqtë pyetja e parë që u bën, është. Si je? E natyrisht, kjo merr vlerë jo vetëm për ata që takohesh e pi kefenë e ditës. Ajo fillon e tjetërsohet në një vlerë të madhe njerëzore, për miqtë e tu larg, ata, me të cilët nuk të lidh vetëm një kafe mëngjesi por, një histori e tërë.

Në këtë sens kuptimi i fjalës, Si je? Si ke qenë?, merr peshë, atëherë kur, përballë teje qëndron një boshllëk…

I pabesueshëm, po për fat të keq i vërtetë, lajmi që erdhi të dielën e kaluar nga Kanadaja. Papritur, Boris Ikonomi ndërroi jetë. Fjalë krejt të papërshtatëshme që nuk shkon të thuhen për Borin.

Kjo, se më të njohurit, shokët dhe miqtë e tij, lidhjet e vrullshme të punës dhe shoqëria kanë mbetur të paprekura nga vitet dhe largësia, siç ishin para 1999-s, kur Bori vendosi të ikte, bashkë me familjen, në Kanada. Madje duket se një pjesë e rëndësishme e lidhjeve dhe kujtimeve mbetën të ngrira dhe të mbrojtura, si nëpër magjitë e prrallave, brenda korridoreve të errët e të heshtur tashmë të Kinostudios.

Aq më fort mbeten të paprekur në Arkivin e filmit, personazhet që Borisi krijoi e u dha jetë në celuloid, si regjisor e piktor, disa herë dhe si autor skenari.

Me një dëshirë të madhe për të punuar e për të krijuar dhe për të lënë gjurmën e vet në këtë botë, a thua se e ndjente që stinën e krijimit jeta ia kishte paracaktuar mjaft të shkurtër.

Të shkruash për Boris Ikonomin nuk është e lehtë. Sepse, ndonëse me shkollë të figurës, piktor grafist, ishte shumë i ndjeshëm ndaj fjalës, madje sa e sa debate që bënim, kishin në thelb pikërisht këtë: fjalën, kuptimin, dallimin. Aq më shumë se fjalët që shkruhen tani mbeten disi njëpalëshe, pa replikë, pa përgjigje. Gjë e papërfytyrueshme në komunikimin me Borin, që ishte këmbëngulës, deri në fund, për të thënë të tijën.

Dhe e thoshte me fjalë, me figurë, me të gjitha mjetet shprehëse, siç e kërkonte dhe pozicioni i regjisorit të filmit vizatimor. Me një fantazi të pashterrshme, të ngulur fort në arsyetimin edhe të vetë mungesës së arsyes – një element edhe ky thelbësor për atë që merr përsipër të bëjë film vizatimor.

Dhe diçka tjetër: që në punët e para, profili i tij krijues ishte i përcaktuar, madje autoritar. Dinte çfarë kërkonte e ku donte të arrinte. Një gjë e veçantë ishte prirja drejt kombëtares, por në mënyrë të natyrshme, jo si flamur, por si një fill, një prani që nuk bërtet, por thotë: jam këtu.

Koncepti i tij artistik për filmin e animuar, qëndronte larg kërkesave të kohës, jashtë kornizave moralizuese.Filmi për të, si një vepër arti, duhej ndjerë dhe duhej dashuruar. Kërkesat e vazhdueshme që, nga filmi në film të kishte ndryshim, nuk ishin formale, thjesht për hir të të bërit të gjërave ndryshe por, si domosdoshmëri krijuese.

Krijimtaria për të ishte lëvizje, ishte jetë, e në jetë, gjërat nuk qëndrojnë statik.

Pesonazhet e Borisit janë pranë gjithkujt. Ata i shihje ngado. Ata nuk ishin të stisur ose të parë gjëkundi revistave apo librave. Ata ishin pjesë e tij, kanë marrë jetë nga shpirti dhe talenti i këtij njeriu.

Bori, pati fatin të ishte bashkudhëtar i fillesave të gjinisë së animacionit në Shqipëri, ku menjëherë pas studimeve në Institutin e Arteve filloi punë në Studion e Animacionit. Në një kohë tepër të shpejtë, që me filmat e parë tregoi aftësitë e tij të përkryera vullnetin dhe talentin, origjinalitetin artistik e krijues. Me vrullin e parë rinor, nga viti 1979, kur filloi punë në Kinostudio, deri më 1992, krijoi 11 filma, (tre me bashkëautor), duke marrë përsipër të përçojë mesazhe të dobishme, kombëtare e universale, dhe duke shmangur tërësisht temat politike dhe filmat e cilësuar si “të lehtë”.

“Agroni dhe nafta”, “Puna është flori”, “Zemërimi i shkronjave”, “Ilira”, “Nevoja të ndihmon”, “Zëri i gjakut, zëri i tokës”, “Merimanga dhe brumbulli”, “Dy vëllezërit dhe ujku”, “Mëndja, mëndje”, “Kopshtari”, “Maratona e lavdisë“, – janë filma që mbeten këtu.

Filmat e tij do të mbeten në historinë e artë të kinemasë së animacionit për vlerat që sollën me aplikimet teknike ku ti përherë ishe kërkues i të resë prej ku shumëkush mësoi.

Si një grafist i lindur dhe krijues, ai e shihte filmin, jo vetëm si ndërtim mizansene por, si një vepër të mirëfillte arti. Aty duhej të ndërthureshin në mënyrë harmonike tërë elementet e një filmi. Për të ishin të rëndësishme si skenari, regjia dhe zgjidhja grafike, po ashtu dhe kolona zanore e filmit.

Kërkesat e tij artistike nuk mund të ecnin në mënyrë empirike, sporadike.

Ai ishte kërkues në marrjen e vazhdueshme të informacionit mbi zhvillimet e animacionit në botë, teknikat dhe konceptet e reja. “Mjafton të duash, gjithmonë do të gjesh thosh” shpesh në bisedat e diskutimet tona të përhershme ku Borisi ishte mjaft aktiv.

Në konceptet regjisoriale apo figurative Borisi ishte mjaft polemik. Kjo jo për ego profesionale, për të qënë ai i pari por, duke patur vetë koncepte të qarta, dëshironte që, edhe miqtë e tij krijues, kolegë, e sidomos të rinjtë, të ishin kërkues në punën e tyre.

Ka patur një të vërtetë të madhe, në zhvillimin e animacionit në Shqipëri.

Shkolla më e mirë e saj, kanë qenë diskutimet e gjalla e pa kompromis mes kolegësh, pjesëmarrja aktive në diskutime, rrahje mendimesh e konceptesh saqë shpesh dilnin jashtë kornizave të kohës. Krijimtaria e tyre e tregon këtë. Janë veprat e Vlashit, Bujarit, Gazit, Borisit, Toninit, Esperancës, Arturit, Janit, Artanit, Arturit, Stefanit, Gjinit, Agronit, Shaqirit, e gjithë krijuesve të tjerë më të rinj, që së bashku me operatorët, piktorët e egzekutues, montazhierët, ndërtuan një traditë, krijuan një emër, ngritën një vlerë, Animacionin Shqiptar. E në këtë traditë të suksesshme ka vendin e tij të pazëvendësueshëm e të nderuar, Borisi...

Ndërsa Borisi, iku, iku përtej. Papritur. Nga një hemorragji cerebrale, kur ishte vetëm 52 vjeç. Por, vetëm fizikisht. Sepse hija e tij u shtohet hijeve të gjalla të kësaj bote, që e kanë fituar betejën me vdekjen.

Të qoftë i lehtë dheu i Vankuverit, mik i dashur.

Këtu ke mbetur përgjithnjë mes të gjallësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›