E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: “Ka ardhur koha e mëshirës dhe e dhembshurisë, Kisha të jetë afër njerëzve”

02-08-2013 / Gazeta 55

Kisha katolike përkujton Shën Alfonsin Maria de’ Liguori, ipeshkëv napoletan që diti të depërtonte në zemrën e të varfërve të 1700-së. Për të, kompozitor i këngës së famshme të Krishtlindjes ‘Ti ulesh prej Parrizit’ (Tu scendi dalle stelle), Mishërimi i Fjalës së Zotit ishte shembull për t’u ndjekur nga Kisha që vërtetë donte të ishte Nuse e Hyjit të afërt me popullin e vet. E njëra ndër temat e trajtuara nga Papa Françesku gjatë udhëtimit të tij apostolik në Rio de Zhanjero ka qenë pikërisht ajo e një Kishe që jeton në gjirin e njerëzve, e një Kishe nënë plot mëshirë. Ja disa pre fjalëve të shqiptuara nga Papa Bergoglio gjatë vizitës së tij në Brazil: Kjo është “kohë e mëshirës” – tha me forcë Papa Françesku – e Kisha “duhet të shkojë për t’i kuruar plagët” e njerëzve, duhet “të jetë e mëshirshme me të gjithë, duhet të ketë mëshirë për çdo kënd....jo vetëm t’i pres njerëzit, po ajo duhet të shkojë e t’i kërkojë! Kjo do të thotë mëshirë” (Biseda në avion, 28 korrik). Për këtë arsye është vendimtare afërsia e Kishës, “sepse Kisha është nënë, e nënën nuk e njohim përmes korrespondencës. Nëna...na përkëdhelë, na prek, na puth, na do. Kur Kisha, merret me mijëra gjëra tjera, e lë pas dore këtë punë e nuk kujdeset më për këtë afërsi, e lë pas dore atë dhe komunikon vetëm me dokumente, e kështu bëhet porsi ajo nëna që komunikon me të birin me anë të letrave”. Shpesh mungon kjo “afërsi” (Intervista në tv Brazilian ‘O Globo’, 28 korrik).
Për Papën Françesku, lypet një Kishë që të di jetë më shumë “lehtësuese e fesë sesa mbikëqyrëse e fesë”. Përkundrazi, nganjëherë, kemi disa “veprimtari baritore ‘të largëta’, veprimtari baritore disiplinore që privilegjojnë parimet, sjelljet, normat, nismat organizative...natyrisht pa afërim e pa afërsi, pa përdëllim, pa përdhelje. Injorohet kështu ‘revolucioni i butësisë e i dhembshurisë’ që shkaktoi mishërimin e Fjalës Hyjnore. Ekzistojnë pastaj veprimtari baritore të organizuara mbi bazën e një distance të tillë që vërtetë janë të paafta të arrijnë deri te takimi: takimi me Jezu Krishtin, takimi me vëllezërit e motrat”. “Si janë homelitë tona? – pyet Papa – A na afrojnë për shembull me Zotin tonë Jezu Krisht, që ‘fliste porsi Ai që kishte autoritet’ apo janë plot me dhënie rregullash, moraliste, të largëta, abstrakte?”. (Fjalimi drejtuar Komitetit të koordinimit të Celam, 28 korrik). “Ndoshta – nënvizon Papa Françesku – të folurit tonë për misterin e kemi reduktuar në një shpjegim të thjesht racional; ndërsa tek njerëzit, misteri depërton përmes zemrës”. “Nganjëherë, i humbasim ata që nuk na kuptojnë sepse e kemi harruar thjeshtësinë, rëndësinë e të folurit me zemër. Pa gramatikën e thjeshtësisë” – vëren Papa Bergoglio – misioni ynë “është i destinuar të dështojë”. Ndoshta Kisha është dukur “tepër largët” nga nevojat dhe hallet e njerëzve, “ndoshta tepër e ftohtë... ndoshta tepër autoreferenciale, ndoshta skllave e fjalëve të vete të ashpra e rigoroze”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik). Përkundrazi, lypet – tha Papa – një Kishë që di të dialogoj me ata që “ecin pa cak, të vetëm e të vetmuar, të zhgënjyer nga një Krishterim që tashmë konsiderohet tokë e shterpët, i pafrytshëm, i paaftë për ofruar kuptim” e orientim. “Lypet një Kishë, në gjendje të jetë vërtetë shoqe e shoqëruese jete, të shkojë përtej dëgjimit të thjeshtë; një Kishë që shoqëron udhëtimin e njerëzve duke u vënë bashkë me njerëzit në udhëtim; një Kishë që di t’i kuptojë se si shkaqet apo arsyet për çka njerëzit largohen, përmbajnë në vetvete, edhe arsyet e një kthimi të mundshëm. Jezusi kërkon nga dishepujt e Emausit përzemërsinë e ngrohtësinë e zemrës. Do të doja – vijoi Papa Françesku – që të gjithë të bënim pyetjen, sot: a jemi akoma një Kishë e aftë për ta ngrohur zemrën?”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik). Atëherë pra, sot lypet një Kishë e aftë të rizbulojë thellësinë dhe bukurinë e përdëllimit prej nëne. Pa përdëllim – përfundoi Papa Françesku – vështirë se mund të depërtojë në botën e të ‘lënduarve’, ku njerëzit kanë nevojë për mirëkuptim, për falje, për dashuri”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik).
Atë Lombardi: Risia e kumtimit të Papës Françesku është falja për të gjithë/Vijon, në mbarë botën, jehona e bisedës së gjatë të Papës me gazetarët e pranishëm në avionin papnor, që fluturonte drejt Romës, nga Rio-de Zhanéjro, të dielën mbrëma. Humorizmi, çiltërsia, liria me të cilën fliste Ati i Shenjtë, prekën shtypin, opionin publik e më gjerë. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili skicon edhe bilancin përmbledhës të përvojës së jetuar në Brazil, thotë: “Gjëja, që më preku më shumë nga biseda me gazetarët, qe gjatësia, sepse ishim në udhën e kthimit e, pas një jave kaq të ngarkuar, nuk dihet si ndjehesh; ndjehesh përsëri në formë, ke akoma forca, apo ndjehesh shumë i lodhur… Gatishmëria e Papës për t’iu përgjigjur pyetjeve, zgjati deri në fund të fundit, ndonëse pati thënë se ndjehej paksa i lodhur…. E pati thënë në fillim, por duke theksuar se nuk donte t’i kufizonte pyetjet, edhe nëse ishin të vështira, ose të pavend. Gatishmëria e tij qe e plotë, e çelësi i sjelljes së Atit të Shenjtë ishte çiltërsia, vetvetishmëria, çelës shumë bindës, shumë i besueshëm, gjë që të gjithë, e posaçe gazetarët, e kapën fluturimthi. Nuk kishte asgjë për të fshehur, asnjë pengesë për të thënë të vërtetën, natyrisht duke folur në mënyrë të përshtatshme, për t’u kuptuar e për të qenë konstruktiv”. Lidhur me përmbajtjen e bisedës me shtypin, të cilat ndokush i quan krejt të reja, në krahasim me papnitë e mëparshme, ai thotë: “Nuk më duket! Madje më duket se pikërisht mbi pikat – t’i quajmë – themelore, Papa kujtoi qartë traditën e Kishës dhe magjisterin e saj. Unë jam bir i Kishës, tha, prandaj jam në vazhdimësi me gjithçka ka thënë e vijon të thotë Kisha. Lidhur me temën e shugurimit meshtarak të grave, foli shumë qartë; theksoi se porta është e mbyllur. Ndërsa për homoseksualitetin kujtoi Katekizmin e Kishës Katolike. Çka është e qartë në sjelljen e Papës Françesku e ndoshta, edhe çka i prek e i tërheq më shumë njerëzit, është aftësia e Atit të Shenjtë për ta bërë të kuptueshme temën e dashurisë së Zotit për të gjithë. Askush nuk duhet ta ndjejë veten të përjashtuar nga dashuria e Zotit, nga mëshira e tij, që i lehtëson, i mjekon plagët e njerëzimit. Papa Françesku e ndjen me të vërtetë se është i dërguar për ta shpallur këtë dashuri, për ta komunikuar këtë mëshirë të Hyjit për të gjithë. Në fund të fundit edhe vetë sjellja e tij ka prirjen për ta shprehur këtë afërsi e këtë dashuri të Zotit. Ky, sipas meje, është aspekti më karakteristik i papnisë së tij. Në këtë drejtim, Françesku është kumtar, me një karizëm të vërtetë force, efikasiteti e edhe aftësie tërheqëse, sepse të gjithë e ndjejmë nevojën për dashurinë e Zotit. Në bisedën me shtypin, pastaj, shtoi edhe një temë, mbi të cilën sigurisht do të flasë përsëri. Është tema e faljes së mëkatit: kujtoi se Zoti i fal mëkatet e, kur i fal, me rrëfimin e dashurinë e tij, edhe i harron. E, prej këndej, edhe ne duhet t’i ngjajmë Zotit në këtë sjellje, duhet të falim e të harrojmë. Jemi para shembëlltyrave të njohura ungjillore, por që duhen rikujtuar. E mendoj se Papa e di fare mirë që në shoqërinë e sotme ka nganjëherë një farë ngulmimi për të kujtuar mëkatet e tjetrit, pa kurrfarë dhimbe, mëshire e mirëkuptimi. Kjo ka shumë rëndësi edhe për ta kuptuar sakramentin e Rrëfimit e të Pendesës, për të cilin Papa flet shpesh.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›