E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, burracak që shpif. Do ta çoj në gjykatë

Lidhur me akuzat, Edi Rama sqaroi mbrëmë se Kryetari i Bashkisë s'jep leje ndërtimi, por firmos lejet që miraton KRRT e Tiranës, ku PD-ja ka gjysmën e anëtarëve


TIRANË - Kreu socialist, Edi Rama, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra nga kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e mazhorancës kundrejt tij, duke konfirmuar edhe një herë vendosmërinë e opozitës për t'i shkuar deri në fund betejës së saj për shpëtimin e demokracisë.


Në një reagim të orëve të vona, Rama i ka kthyer dje përgjigje akuzave të Berishës, duke i konsideruar si shpifje që vijnë nga presioni, që po ushtron populli opozitar që kërkon transparencën e zgjedhjeve parlamentare dhe largimin e tij nga karrigia e kryeministrit.


Për kreun socialist, Berisha është vënë përballë presionit në rritje të popullit opozitar për hapjen e kutive të votimit dhe tashmë është lëshuar i tëri në një fushatë akuzash e shpifjesh pa fre ndaj kundërshtarëve të tij.


"Kjo fushatë është klithma e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin! Është klithma e frikacakut që bërtet për t'i mbushur mendjen dynjasë se s'ka frikë! Është klithma e Saliut të Dytë që i kujtohet përditë e më shumë fundi i Saliut të Parë!


Nuk ka faj, është kapur mat!", - tha Rama në fjalën e vet, ndërsa bëri të ditur se tashmë ka skaduar afati që opozita i kishte vënë atij për reflektim dhe për të pranuar kërkesën për hapjen e kutive të votimit.


Kështu, duke iu referuar akuzave të lëshuara dje nga Berisha për ekzistencën e një seri dosjesh ndaj deputetëve socialistë dhe sipërmarrësve privatë, Rama i konsideroi ato si palo dosje, me anë të të cilave kryeministri kërkon të krijojë alibinë për ekzistencën e një aleance punisto-mafioze.


Duke qëndruar pikërisht te këto akuza, ai ka hedhur poshtë çdo pretendim të ngritur nga Berisha për dhënie lejesh ndërtimi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për njerëzit e tij të afërt dhe miqtë e tij. Lidhur me këtë çështje, ai ka sqaruar se kryetari i bashkisë nuk jep leje ndërtimi, por firmos lejet që miraton Këshilli Rregullues i Tiranës, ku PD-ja ka gjysmën e anëtarëve.


"Nuk ka asnjë leje, asnjë të vetme, ku unë të kem përdorur votën time për të bërë shumicë. Lejet janë dhënë me votë të plotë të KRRT-së, ndërkohë që deri në vitin 2007 s'kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të KRRT-së që kontrollohej nga njerëzit e Saliut, edhe pse kam firmosur siç ma dikton ligji çdo vendim të atij organi kolegjial", - tha më tej kryetari i PS-së.


Ndërsa, duke u ndalur tek akuzat e mazhorancës ndaj tij dhe familjes së tij, shefi i opozitës ka theksuar se ato janë një provë e qartë se kryeministri është zënë ngushtë përballë reagimit qytetar për të hapur kutitë dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve të qershorit.


"E nisi para pak ditësh me mua, me kryetarin e opozitës, duke treguar nga foltorja e parlamentit monstruozitete të fabrikuara nga ai vetë dhe të mbajtura dhjetë vjet me radhë në dollapin e armëve të luftës së tij të përdalë politike.


Të cilat i ka nxjerrë sa herë është zënë ngushtë. U mor me të afërm e miq të mitë, duke mbajtur fjalimin më të turpshëm në historinë e atij parlamenti. E bëri këtë sepse pa 100 mijë vetë që i kërkojnë dhe do t'i kërkojnë, deri në fund, jo pushtetin e tij mizerabël, po të drejtën e tyre të panegociueshme.


Dhe e bëri kur e kuptoi se me të vërtetë nuk ka asnjë shans të joshë e blejë me paratë e ndyra të korrupsionit deputetët që i duhen për të thënë se parlamenti ekziston dhe s'është vetëm një komitet qendror banal i partisë në pushtet", - tha Rama, duke e cilësuar ndërmjet të tjerave Berishën si një çafkë e çartur që sa herë që është keq shpif ndaj kundërshtarëve për të cilat ai ka paralajmëruar se do ta padisë atë jo vetëm në organet e drejtësisë, por edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg.


E gjitha kjo, sipas Ramës, vjen sepse "Sali Berisha nuk është burrë që di të përballet me armët e të vërtetës, po një burracak që kërkon të shpëtojë nga përballja e pashmangshme me të vërtetat e këtij populli duke kërcënuar disa që të dëgjojnë të tjerët".


Nisur pikërisht nga kjo valë akuzash, kreu i selisë rozë i ka bërë të ditur kundërshtarit të tij politik se as me politikën e shpifjeve dhe përbaltjes së kundërshtarit, nuk do të mund të devijojë opozitën nga lufta e saj politike në shërbim të demokracisë.


Duke iu referuar edhe akuzave dhe deklaratave kundër babait të tij, Rama i ka bërë të ditur Berishës se as në këtë mënyrë nuk do mund të përkulë atë dhe familjen socialiste nga kjo betejë. "Meqë e përmend shpesh tim atë, dije se nuk do të mundesh kurrë ta përkulësh Edi Kristaq Ramën.


Nuk do të mundesh kurrë të cenosh nderin dhe dinjitetin e familjes sime, çfarëdo të thuash dhe sado ta përsërisësh. Nuk do të arrish kurrë të zmbrapsësh Partinë Socialiste, deputetët dhe deputetet e saj që po i bëjnë vendit një shërbim historik dhe nuk do të ndahen derisa të të ballafaqojnë me të vërtetën.


Nuk do t'ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t'i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd, dhëmbët e pushtetit të familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre", - theksoi kryesocialisti.


Rama nuk ka ngurruar t'i kujtojë kundërshtarit të tij, kryeministrit Berisha, se gjatë periudhës së komunizmit pikërisht nëpërmjet të njëjtës politikë, asaj të shpifjes ka persekutuar njerëz të ndershëm siç është edhe rasti i një familje të ndershme mjekësh. Për këtë, ai ka bërë thirrje që të hapen dosjet e komunizmit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›