Berisha dhe fisnikëria e tij me medien
Gazetari Alfred Peza intervistoi, së pari, E. Ramën dhe, më 20 janar, dr. Berishën. Ç’është e vërteta, dr. Berisha e ka shpallur prej vitesh respektin e tij për gazetarët. Dhe ka qenë vazhdimisht besnik i vetvetes. Sigurisht që A. Peza e ka vënë re ndryshesën. Por veçanërisht e kanë shijuar këtë intervistë, shikuesit e shumtë të këtij emisioni, ku spikaste dialogu i rrjedhshëm dhe trajtimi i temave në të cilat intervistuesi ishte i lirshëm për pyetjet e karaktereve nga më të ndryshmet. Mund të themi edhe pyetje kundërshtuese. Këto të fundit u mirëpritën dhe u argumentuan me qetësinë më të madhe.
Intervista pati si tipar dallues mirëkuptimin dhe trajtimin e problematikave me tonin e duhur; ajo që ishte vërtet e pëlqyeshme, ishte atmosfera e qetë e bashkëbisedës, për më tepër me humorin, me qeshjet e përbashkëta të pyetësit dhe të të pyeturit. “Alegria!” – ishte fjala si një moto që përshkruante në frymë, të gjithë programin e paraqitësit të shquar televiziv, Majk Bonxhorno. Ata që kishin moshën e emisioneve të tilla, të cilat shiheshin në vendin tonë me antena nën çati në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, e ndiqnin me entuziazëm programin e Majkut.
Doktor Berisha tregoi edhe njëherë respektin e sinqertë ndaj gazetarëve, për të cilët ka shprehur kurdoherë mendimin që të mos inkriminoheshin në detyrën e tyre, qoftë edhe kur i rrëshqisnin, gabimisht, së vërtetës, në detyrën e tyre të vështirë. Ky mirëkuptim ka qenë i pakushtëzuar, për të gjithë njësoj, pa dallime partiake.
Nuk njihet ndonjë rast që kryetari i mazhorancës të thartohej për ndonjë pyetje që mund të dukej si provokuese, édhe kur përmbajtja mund të interpretohej si e tillëë. Ky vëzhgim nuk mund të thuhet për kryetarin e opozitës. Së pari, duke folur për këtë të dytin, né, shikuesit e emisioneve televizive, kemi parë raste të mospërgjigjes, me fjalë fyese. “Të fala filanit”, - të cilin intervistuesja mbase edhe s’e njihte! Njihet mirë kur një gazetareje të re i përmendi, me një nënkuptim cinik, semaforin, ndonëse ajo iu shpreh me të njëjtën monedhë, duke kundërvepruar me guxim ndaj tij. Së dyti, nuk i qeshte kurrë nuri, në intervistat që përmbanin pyetje në të cilat i intervistuari nuk dëshironte të jepte asnjë mendim. Së treti, intervistuesi vihej në një pozitë të tillë që të mos përmbushte agjendën e tij të pyetjeve, sepse pergjigjja s’kishte të mbaruar dhe Rama bënte sikur nuk e shihte drejtuesin e programit kur ky vështronte disa herë orën, gjatë përgjigjes së tij. Kur intervistës i kishte ardhur fundi, në falënderimin e tij, njihet rasti i një i intervistuesi: “Ju falënderoj, ndonëse kisha edhe disa pyetje të tjera për t’ju bërë!”. Shumë intervistues me siguri do të kenë vënë ré se Edi Rama asnjë herë nuk është përballur në një program televiziv me kundërshtarin e tij të drejtpërdrejtë, në fund të fushatës zgjedhore. Megjithatë askush nuk ia ka kujtuar këtë shmangie. Ai s’e ka për gjë që të japë një përgjigje jashtë mirësjelljes. Berisha ka qenë i gatshëm për debatin televiziv me Ramën, në zgjedhjet parlamentare. Po ashtu edhe Lulzim Basha është përgjigjur se do të ishte i gatshëm për një debat të tillë, në zgjedhjet vendore për bashkinë e Tiranës.
Le të marrim pyetjen në emisionin e fundit televiziv: - Z. Berisha, a do të jepnit dorëheqjen nëse do të humbisni zgjedhjet e vitit 2013? Para se të ecim më tej, do të thoshim se një pyetje e tillë nuk i bëhej lehtësisht E. Ramës. Ndonjëherë janë gjetur trajta nga më delikatet, në vënd që ta bënin troç një pyetje të tillë. Do të thoshim se përgjigja do të ishte e njohur: - Nuk jepet dorëheqja me vota të vjedhura (!). Por jo me 7 fjalë. Mbase me 17 fjalí, në mos me 27! Ndërsa doktori e quajti normale këtë pyetje dhe tha thjesht: - Po. Kam shumë punë të tjera për të bërë. Dhe filloi një bashkëbisedim i këndshëm se ç’mund të bëjë një politikan në raste të tilla. U fol për leximet, hynë në temat letrare. Pastaj Berisha nuk është një doktor i zakonshëm. Ai është një specialist i degës së kardiologjisë në arenën ndërkombëtare të mendimit. Dikush,si me humor, më tha: Mund të jepte edhe një përgjigje që ta thartonte në largësi kundështarin e tij, që është ende kryetar partie në saje të një shablloni që është bërë si refren shpëtimtar: - Më vodhën votën! Edhe Berisha mund të jepte një Po, të kushtëzuar: - Po, do ta jepja dorëheqjen, po të mos më vidhte votën kundërshtari!
Ky muhabet i fundit na çon te një intervistë e S.Ngjelës, që kishte dhënë shumë muaj më parë, kur i kishin kujtuar humbjen e bashkisë, në rivalitet me Edin: - Zgjedhjet i fitova unë!- tha Spartaku. Habiti gjindjen. - Po si? Kryetar bashkie u bë E. Rama! - Më vodhën votat, - e nxori më në fund përgjigjen më të plotë. Si duket disa i kanë në majë të gjuhës justifikimet e rëndomta. Atëherë përse ai është bërë aleat aq i thekshëm i Ramës, kur ky i paskësh vjedhur votat? Përse na qenka kaq “altruist” për votat e tij, në vetë të parë, dhe i del për zot një vjedhësi të votave, që ka tundur dynjanë se i kanë vjedhur votat, kur elita e partisë së tij (LMN-ja) i thotë troç, se ka humbur zgjedhjet dhe ai lajtmotivi “m’i vodhën votat” është bërë si një refren që të mos japë dorëheqjen? Berisha nuk e mori fare për ters kur intervistuesi i tha se ç’kishte për të thënë për “dështimin” në ministrinë e Shëndetësisë. Ai nuk reagoi për atë fjalën që e kemi vënë në thonjëza, por tregoi pesë – gjashtë argumente sesi mund të quhet shëndetësia e tanishme shumë më e përparuar se ajo e disa viteve më parë. Foli edhe për farmaceutikën dhe reformat që po shmangin disa të meta në shpërndarjen e ilaçeve.
Nuk është e tepruar që të themi që i gjithë emisioni kaloi në një atmosferë mirëkuptimi të ndërsjellë.