Shteti fqinj mes krizës dhe politikës të jashtme
Silvio Berluskoni më inkurajon shpeshherë për punën time si president i Këshillit të Ministrave të Italisë. Kështu është shprehur Mario Monti përgjatë një interviste të zhvilluar në një kanal televiziv italian. “Presidenti Berluskoni me të cilin flas shpesh dhe hera – herës takohem më jep sinjale inkurajuese dhe këshilla ashtu siç bëjnë edhe liderë të tjerë” - të partive që përbëjnë maxhorancën. Në të njëjtën intervistë, presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka theksuar se aktual;isht në qeverinë italiane nuk ka asnjë lloj krize qeverisëse duke theksuar më tej se: “Nuk shqetësohem sesa do të qëndrojmë në këtë qeveri por shqetësohem për mënyrën si do ta dorëzojmë vendin në fund të qeverisjes”. Sidoqoftë presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë kërkon që forcat e maxhorancës të gjejnë rrugë për të dialoguar sepse sipas tij “ka shumë tema që nuk janë në dorë të qeverisë si reforma zgjedhore dhe ajo e reduktimit të numrit të deputetëve”. Nga ana tjetër, lajme të mira duket se kanë ardhur për shtetin fqinj të Italisë. Sipas të dhënave të fundit duket se prodhimi do të rritet, me 10%, në vitet e ardhshme. Pasi ka marrë mbështetjen e Silvio Berluskonit, natyrisht që presidenti aktual i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka mirëpritur edhe mbështetjen e liderit të së majtës Pier Luixhi Bersanit. Edhe Bersani mbështet qeverinë Monti duke kërkuar në të njëjtën kohë që mos të kryhen më manovra sepse sipas tij “vendit nuk mund t’i kërkohen” akoma këto manovra. “Nuk jemi më të disponueshëm të trajtohemi si Greqia” – ka nënvizuar Bersani. Sidoqoftë është e qartë që Bersani kërkon t’i qëndrojë besnik Mario Montit të paktën deri në përfundim të legjislaturës apo deri në momentin që Italia të “jetë larguar nga humnera”. Vështirësitë janë të shumta për vendin fqinj të Italisë dhe Pier Luixhi Bersani, është i ndërgjegjshëm se manovrat për daljen nga kriza janë të rënda dhe se duhet bërë më shumë si nga ana e qeverisë italiane por edhe nga vetë Europa. Në të njëjtën kohë Bersani kërkon të bëjë edhe një apel për grupin drejtues të së majtës duke kërkuar nga ata përkushtim dhe unitet përballë vështirësive që nuk do të vonojnë të vijnë. Ndërkaq, Mario Monti duke pranuar mbështetjen e dy liderëve të politikës italiane ka marrë përsipër një udhëtim drejt Libisë. Qëllimi i presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë është i thjeshtë. Italia kërkon të rifitojë terren në Libi, një vend ky që, padyshim konsiderohet për Italinë si një partner strategjik. Humbjet mes dy vendeve kanë qenë të mëdha, madje janë thelluar dita-ditës tashmë që mungojnë edhe raportet personale mes Gedafit dhe Berluskonit. Mario Monti kërkon të rifitojë Libinë. Duhet të dëshmojë se kërkon një fqinjësi të mirë duke premtuar ndihmë edhe për procesin e tranzicionit demokratik të Libisë pas Gedafit. Me kreun e qeverisë të përkohshme, Abdel Rahim al –Kib do të firmoset një deklaratë politike ku do të vihet theksi në tranzicionin e Libisë pa harruar dhe respektuar edhe të drejtat njërëzore. Natyrisht vizita e presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë (i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Xhulio Terci dhe ai i Mbrojtjes, Xhampaolo Di Paola), do të shërbejë edhe për konsolidimin e marrëdhënieve mes shteteve të cilat do të intesifikohen më pas edhe me vizitat e ministrave të tjerë italian. Nga ana e qeverisë italiane do të dhurohen, 15 makina tip fuoristrada, për autoritetet e Libisë. Monti nuk do të takohet me presidentin e Këshillit kombëtar të përkohshëm, Mustafa Abdul Jalil me të cilin në fakt ishte takuar në 15 dhjetor të vitit të kaluar, kur ishte diskutuar edhe për riaktivizimin e Traktatit të miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve i cili do të përfundonte edhe me gjestin e madh të Italisë e cila që do të financonte vepra publike për një shifër që arrin në 5 miliardë dollarë në 20 vjet. Nuk do të ketë ndoshta as firmosje Memorandumesh (është folur për një të tillë mes shoqërisë italiane Eni dhe shoqërisë të Libisë, Noc për një vlerë prej 380 milionësh në sektorine ndërtimeve dhe në projekte sociale). Sidoqoftë përfaqësues të lartë të shoqërisë Eni do të jënë të pranishëm në Tripoli në takimin që do të zhvillohet me ministrin e Jashtëm, Ashur Ben Khaial dhe atë të Mbrojtjes, Ozama Jueli. Ndoshta me këtë të fundit mund të firmoset një marrëveshje bashkëpunimi që parashikon formimin e rreth 300 ushtarakëve në Itali. Një kontribut të rëndësishëm Italia do të japë edhe në çminimin dhe në riaktivizimin e portit të Tripolit, pa harruar një marrëvehsje për peshkimin dhe bashkëpunimin doganor mes dy vendeve.