E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti dhe skllavi

Novela “Vjeshta e Xheladin Beut” e Kutelit na servir tri lloj vështrimesh: 1- Vështrimin e subjektit mbi qeniet e tjera. 2-Vështrimin e narratorit mbi protagonistin. 3- Vështrimin e qenieve të tjera mbi subjektin. Dy vështrimet e para “shkëmbehen” në të njëjtën pikë, për të projektuar dy vetje në transformim të së njëjtës qenie: një zot që s’e pranon dot shembjen dhe një njeri profan. Ndjesia e parë është ajo e çdo qenieje që sheh me sy të shqyer shembjen e vetvetes

Zoti dhe skllavi

Kufijtë, brenda të cilëve hedh rrënjë ekzistenca e çdo qenieje njerëzore, zotërojnë themele lehtësisht të tronditshme, prej shkaqesh që shpesh herë nuk jemi në gjendje t’ua gjejmë dot arsyet. Këto lëkundje të paqarta për nga zanafilla e tyre, prishin ekuilibra absolutisht të patrazuara, gjer përpara çastit të shembjes. Njeriu nuk është më zot i vetvetes, gjë që nuk do ta honepste dot, në rrethanat e të ndjerit “i gjithëpushtetshëm”. E kështu, duke mos gjeneruar dot pikë fuqie për të dëbuar “ndjesitë e paftuara”, ai është i detyruar të luajë rolin e spektatorit përballë vetvetes. Pikërisht këtë lloj kolapsi parandien edhe lexuesi i këtij rrëfimi, teksa përplaset që në fillim të tij me figurën e përmbysur të Xheladin Beut.

“As vetë Xheladin Beu nuk dinte përse ndiente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjesi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbonjë gështenje, një shembëtirë, një turbullirë, e një neveritje pa fund e pa anë...”.

Më pas, nëpërmjet detajit ligjërimor zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, shoqëruar ky me episodin (disa herë të përsëritshëm përgjatë tekstit) ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër, rrëfimtari na përshkruan një gjendje të vazhdueshme çekuilibri që është duke ndodhur brenda protagonistit tonë. Simboli i zotit (servirur realisht prej vetë tekstit) dhe ai i skllavit (krijuar në konfigurimin tonë si lexues prej ndjesive që na injekton po ky tekst), marrin në këtë rast dy konotacione diametralisht të kundërta, që kushtëzohen prej dy optikash të ndryshme vështrimi. Optika e parë ka të bëjë me “ndjesitë e paftuara”, ndërsa e dyta lidhet me gjykimin që ne si lexues do t’i japim Xheladin Beut. (Theksojmë se ky gjykim merret në bazë të “situatave jetësore” të hetuara më parë nga vetë narratori). Të dyja llojet e optikave lidhen ngushtësisht mes tyre dhe na shfaqen vazhdimisht si plotësuese të njëra-tjetrës, në funksion të ndërtimit të figurës së personazhit kryesor. Sipas Todorovit, një qenie nuk mund të ekzistojë pa vështrimin e tjetrit. Novela “Vjeshta e Xheladin Beut” na servir tri lloj vështrimesh; 1-Vështrimin e subjektit mbi qeniet e tjera. 2-Vështrimin e narratorit mbi protagonistin. 3-Vështrimin e qenieve të tjera mbi subjektin. Dy vështrimet e para “shkëmbehen” në të njëjtën pikë, për të projektuar dy vetje në transformim të së njëjtës qenie: një zot që s’e pranon dot shembjen dhe një njeri profan.

Ndjesia e parë është ajo e çdo qenieje që sheh me sy të shqyer shembjen e vetvetes. Është pafuqia e saj përballë rrënimit të vetjes fizike; gojës së hidhur sikur të paskej ngrënë shafran, qiellzës së thatë, gjuhës së trashë, e herë-herë një të therure në tepelekun e kokës.

Ky rrënim i vazhdueshëm fizik bëhet akoma më tragjik përballë cilësimit të protagonistit zot i patundur mbi njerëz. Ironik, tepër i sofistikuar, Kuteli, vetëm sa i thekson faktet dhe lë lexuesin të shtojë tonin ironik. Duke na sjellë një personazh, të cilit po i shket duarsh vetja, ironia e tij merr nuanca gati sarkastike kur bën “komente” të tipit të mësipërm. Pafuqia njerëzore për të ndryshuar ato gjëra, që nga njëra anë kanë të bëjnë thelbësisht me ekzistencën e qenieve, e nga ana tjetër s’mund të komandohen dot prej tyre, shërben për të shkatërruar atë iluzion të krijuar në vetëdijen e një vdektari, për një sundim të përjetshëm mbi të tjerët. Ironia ndaj protagonistit formësohet njëkohshëm nga realizimi i plotë i përmbajtjes dhe nga qëndrimi i autorit.

Kështu, vërejmë se pse çdo retrospektive tekstore, në të cilën rrëfimtari na informon për të shkuarën e Xheladin Beut, i vihet menjëherë theksi zbrazëtirës që qenia ndjen.

Le të ndalemi për pak në këtë lloj raporti:

Me gjithë këto të mira që zumë në gojë dhe ato që nuk i zumë fare – kazanët e qypat dinga me mahmudie... me gjithë ata trimat mustaqepresh e mustaqeqërruar që kish nën urdhër.

Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër (po, brenda në zemër) atij mëngjesi të ëmbël vjeshte.

Dilte nganjëherë një i krisur ndër rajaje e ndër harbutë (nga një i veçuar), që vinte shpirtin në majë të dyfekut e ia shkrepte po vendi s’e mbante dot me bukë dhe shpejt mbulonte balta–baltën, rritej bari mbi varre. Dhe ja sot, pas një ahengu të vogël, Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër.

Shohim se në njërin kah ravijëzohet figura e një zoti të patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndërsa në kahun tjetër rrënimi i vazhdueshëm fizik i qenies, i cili merr teposhtën, sa më shumë që “madhërohet” në sytë e lexuesit figura e zotit. Retrospektivat tekstore paraqesin në mënyrë të përshkallëzuar, një qenie në prag të denatyrimit, duke ngjallur te lexuesi një ndjenjë të pafund neverie, shkaktuar kjo prej krahasimeve të vazhdueshme (të tilla si: gjithë derrat një turi kanë; kalë i zhdëpur me elb; qen i lig; gulçonte si buall kënete) me anën e të cilave ai përshkruan shtazërimin e qenies. Skllav i mëkateve për të cilat nuk është aspak i vetëdijshëm se mund të jenë mëkate, Xheladin Beu është zhytur kokë e këmbë në baltën e pashpirtshmërisë. Sipas Kierkegardit, pashpirtshmëria është gjendje amullie e shpirtit dhe karikaturë e ankthit. Siguria e saj qëndron në faktin se ajo nuk kupton asgjë në mënyrë shpirtërore, që nuk ndjen asnjë lloj detyre, megjithëse i ka të gjitha aftësitë. Por, meqë ajo vetë, fatkeqësisht nuk është një shpirt (me gjithë dijet e saj) është një admiruese e vërtetë e hyjnizimit të verbër. Xheladin Beu merr në përfytyrimin e lexuesit trajtat e antinjeriut, pasi shpirti i tij nuk gjeneron asnjë ndjenjë humane. Pa kurrfarë brejtje ndërgjegjeje, ai është gati të shuajë edhe jetë njerëzish, boll që të ruajë të paprekura pozitat e tij si zoti i patundur.

“Kokënderurit mbetshin pa kokë para se të ndiznin koka të tjera”.

Vdekja e qenieve të tjera nuk i prek asfare ndjenjat e tij, madje edhe atëherë kur vret vajzat e reja që presin të bëhen nëna. Ashtu siç mundet të mbysë jetët e krijesave të veta që në embrion, vetëm e vetëm sepse i druhet së shoqes që është bijë veziri, ashtu di të jetë skllav i njerëzve më të lartë, për të fuqizuar në këtë mënyrë pushtetin e vet. Nuk e njeh mëshirën për njerëzit që ka poshtë vetes, por ushqen një frikë të madhe ndaj vjehrrit, i cili ka në dorë edhe ta zhdukë, siç zhduk ai vetë jetët e qenieve të tjera. Për të nuk ekziston një fuqi hyjnore, prej së cilës të frikësohet për veprimet e kryera, pasi shpirti i tij është i zhytur në një gjendje të plotë amullie, dhe ai e ka të përmbysur çdo raport mes zotit dhe djallit, jo se nuk i njeh se kush është në thelb secili prej tyre, por sepse nuk do t’ia dijë për ta. Këtu zë fill degjenerimi i tij moral e shpirtëror. Këtu shtazëria e tij formëson fytyrën e saj më të shëmtuar.

“Kësaj “pune” ay i thosh “puna e perëndisë” po bota i thosh “puna e djallit””.

Antinjeriu ka triumfuar këtu përfundimisht dhe personazhi i Xheladin Beut shndërrohet në simbol të atyre sundimtarëve të përgjakshëm, që janë në gjendje të sakrifikojnë çdo gjë, për hir të të qenit “Zot”. Ndihmesa të tillë të figurës bosht si; Sheqerja apo Rizai, kthehen në simbole të “puthadorëve” që ndihmojnë në forcimin e despotizmit në një vend a shoqëri të caktuar.

Kuteli arrin të krijojë në këtë mënyrë psikologjinë tipike të njeriut–zot, i cili me vetëdije të plotë ka helmatisur ndjenjat humane të shpirtit të tij, duke valëvitur triumfator “flamujt e Pashpirtshëmrisë”.

Koncepti i së keqes

Arsyeja thelbësore që i ndan në dy kampe të përkundërta besimtarët nga profanët është konceptimi që secili syresh shfaq për përtejbotën. Të parët besojnë se ekziston një tjetër jetë përtej vdekjes ndërsa të dytët e kundërshtojnë me forcë bindjen absolute të besimtarëve. Pavarësisht kësaj kundërshtie, tepër të rralla janë ato qenie humane që nuk ndjenë thellë vetes një pështjellim të vërtetë ndjenjash (përzierje kjo me një lloj frike e keqardhje), kur mendojnë largimin e tyre nga kjo botë. Por, meqenëse ndodhemi në suazën e universit kutelian, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një rrëfim ku boshti qendror vërtitet rreth konceptit të së keqes, termat e mësipërm do t’i trajtojmë në një mënyrë “rigorozisht dogmatike”, duke pranëvënë konceptet e së mirës dhe të së keqes, përballë të qenit besimtar apo profan. Xheladin Beu bëhet kështu jo vetëm simboli i së keqes absolute, por ai na shfaqet edhe si admirues i vërtetë i një idolatrie të sipërfaqshme e tokësore. Mendimet e tij ndriçohen prej “diellit të dynjasë” (Baba Sulltanit) dhe mbi të gjitha, ai ndjek pikë për pikë këshillat e babait e gjyshit të tij.

Le t’u kthehemi këtyre këshillave:

“Çdo gjë e gjallë që pillet, rritet e kullotet në dheun tënd është e jotja. Merre e bëj ç’të duash”.

“Preja kokën atij që mundohet ta ngrejë lart. Mos e prish me të madhin, kij mendjen të shikosh nga fryn era e nga ngroh dielli”.

Koncepti i së keqes, materializuar në të qenit zot mbi çifligje e mbi njerëz, merr kështu përmasa më gjithëpërfshirëse, pasi krahas gjenerimit të së keqes në brendi të qenies, ajo shndërrohet dhe në një “cilësi” të trashëguar. Në një të keqe që duke u mbartur në gene, transmetohet “natyrshëm” nga njëri brez në tjetrin. Ca e “injektuar” nga qeniet e tjera që janë më të pushtetshëm se protagonisti ynë, ca “e diagnostikuar” si gjenetike, nocioni i së keqes pushton “territoret me pozitën më të mirë gjeografike” në këtë novelë. Ajo është “hyjnia” që Xheladin Beu i falet, dhe në emër të së cilës, kryen çdo veprim mëkatar. Këto veprime e bëjnë të ndihet shumë i lumtur dhe i kënaqur, duke mos provuar kurrfarë ankthi. Pasi ai është tepër i pashpirt për të ndjerë këtë ankth. Po t’i referohemi sërish Kierkegaardit: “Ankthi ekziston edhe në pashpirtshmëri, por ai është aty i fshehur dhe i maskuar, duke qëndruar veçse në pritje. Megjithatë, kur vdekja na shfaqet me pamjen e saj të vërtetë, si një skelet i trishtuar me kosë në duar, nuk e shohim pa frikë”. Për Xheladin Beun vjen një çast kur ai e kupton fort mirë se është mplakur dhe e para ndjenjë që hedh rrënjë në mënyrë të menjëhershme brenda tij, është ankthi i vdekjes. Është pikërisht ky lloj ankthi që e shpie qenien drejt të parit reflektim mbi vdekjen e vet. Deri pak më parë (në kohën kur ende nuk e ndjente zbrazëtirën brenda në zemër), shkaku i të ndjerit i gjithëpushtetshëm, të ndjerit zot dhe i paprekshëm prej asgjëje e prej askujt, e shtynte vetëm në marrjen e jetëve të qenieve të tjera, për të forcuar sundimin e vet. Ndërsa kur pranon pafuqinë e tij përballë mplakjes, ai bëhet ziliqar ndaj shëndetit fizik të atyre qenieve, mbi të cilat pretendonte të ishte përjetësisht më i fuqishmi.

“Hej, sa zët i kishte atë çast ata derra çifçinj që hanin bukë misri me dhallë, por leshrat i kishin si penda e korbit…”

Optika prej zoti e të parit të gjërave mbetet përherë e pandryshuar. E rëndësishme për qenien është rinia e humbur e unit, kurse jeta e derrave çifçinj, shfaqet në vetëdijen e tij e barasvlershme me një hiç. Por, sado që subjekti përpiqet ta fshehë ankthin që ndjen, ndërgjegjja e tij tronditet seriozisht kur fillon të reflektojë rreth faktit të pamohueshëm, se edhe zotat si ai vdesin një ditë sikurse dhe njerëzit budallenj.

“Kish parë shumë të vdekur, po ata, thosh ay, ishin budallenj. Budallenjtë vdesin. Po pas pak ktheu. Edhe babai vdiq, edhe gjyshi vdiq... budallej ishin ata?”.

Reflektime të kësaj natyre bëjnë që ankthi i qenies, i maskuar forcërisht deri më tash, të dalë sheshit me gjithë lakuriqësinë e vet, ngaqë vështrimi i qenies është drejtuar më në fund kah vdekja e vet. Mirëpo, ky vështrim nuk gjeneron asnjë lloj ankthi për botën e përtejme. Rrezja e tij shkon deri tek fundi tokësor (Pas pleqërie, efnm? Ti e di varri…), dhe për këtë arsye, Xheladin Beu, jo vetëm që nuk ka absolutisht frikë prej ndëshkimit, por vetëdija e tij profane zhytet edhe më thellë në ankthin e pashpirtshmërisë. Në vetvete, ai ndihet përherë zoti që nuk dëshiron të humbasë asnjë nga zotërimet e kësaj bote, sepse në varr s’do të ketë më mundësi të shijojë kënaqësi të tilla. Në këtë kontekst, keqardhja e tij për jetën tokësore bëhet tepër e neveritshme.

“Ja nëpër qytet e nëpër fshatra zunë të rriten çupa të reja. Domosdo, duhet te jenë zbukuruar. Kujt do t’i mbeten ato?”

Degjenerimi i tij bëhet i paskrupullt, në çastin kur ai harron gjithçka (madje edhe vdekjen) dhe i ngulet si një gozhdë në tru mendimi që nuk mundi të bëhej dot burrë në gjerdekun e natës së shkuar. Ndërkohë, pengu i tij i madh për të lënë një trashëgimtar, duhet gjykuar sërish në optikën e të ndjerit zot. Në shpirtin e tij nuk regëtin asnjë ndjenjë dashurie humane, përderisa ai i vriste foshnjat e tij që pa lindur. Prandaj ndjenjat atërore, mbeten përherë jashtë tij. E vetmja arsye për të lënë një trashëgimtar është frika që ai ushqen, për shpërdorimin e pasurisë prej të tjerëve, dhe dëshirës që emri i tij si zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, t’i përmendet edhe pas vdekjes. Shterpësia e së shoqes duket se vjen si një mallkim brezash (as gjyshit s’i lindi gruaja e parë).

Kjo të kujton mallkimet e lashta të Dhiatës së Vjetër, të cilat binin deri në tri breza të një fisi. Moslënia e një trashëgimtari duket si një mallkim që fara e së keqes të mos mbartet gjenetikisht me tutje, por të marrë fund me Xheladin Beun. Gjatë gjithë këtij rrëfimi, autori nuk e shpreh vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndrimin e tij ndaj protagonistit, por e projekton atë edhe tek personazhet dytësorë. Kështu Guria do të largohej një orë e më parë nga kjo shtëpi e urryer, nga ky njeri i urryer. Kurse efekti që shkakton subjekti tek qeniet e tjera, fiton një peshë specifike, në rastin e njërës prej vajzave haremit.

“Fytyra e tërë trupi i përkulur i Xheladin Beut ishin tërë vija drite e hijeje. Drita vinte nga rrezet e diellit, hija nga hekurat e ballkonit. Për një çast asaj ju duk i tmerrshëm si qoftëlargu dhe prandaj u mek”.

Ky përshkrim të krijon përshtypjen e një skenë vrasje në ndonjë roman policor, ku autori që i ka vënë vetes qëllimin për të krijuar një atmosferë sa më të besueshme të ngjarjes, mundohet të ngjallë efektin e tmerrit, duke pasqyruar karakterin e vrasësit në shpërfytyrimin e tipareve të viktimës. Kuteli e lë këtu mënjanë tonin realist që përshkon rrëfimin prej kreut në fund, dhe sikundër ndodh përherë ne krijimtarinë e tij, ai shkel sërish në kufijtë e fantastikes.

Duke iu referuar përfundimit të studiuesit Aurel Plasari, sipas të cilit, “Ashtu si filozofët që përdorin koncepte të rreme për të mbërritur tek e vërteta, ashtu edhe shkrimtarët e llojit të Kutelit e përdorin trillimin më të njëjtin synim”, ky qoftëlarg i tmerrshëm, që shfaqet çuditërisht në rrezet e diellit të mesditës, bëhet simbol i dekompozimit të një qenieje, e cila nuk ka më vend në këtë botë, por duhet të largohet medoemos prej këtej, për të pritur “diku tjetër” ndëshkimin e saj. Shpjegimi i mësipërm na kthen sërishmi në një tjetër përfundim të studiuesit Plasari:

“Duke ngjeshur shtypur e torturuar unin, trilli vegimtar ushtrohet njëherësh me një dell kritik mbi një shoqëri ose një kolektivitet të caktuar që guxon të mos ndjekë vetëm rrugën e tij. Shenjat çojnë kah një proze sociale, e realizuar nëpërmjet qortimit të veseve, nëpërmjet përgatitjes së ndëshkimit të afërm”.

Vdekja si e ardhme profetike

Atmosfera e vdekjes ndihet vazhdimisht përgjatë gjithë rrëfimit “Vjeshta e Xheladin Beut”, madje ajo është sfondi kryesor, në të cilin na shfaqet agonia e qenies. E konceptuar në zanafillën e saj si “vdekje e tjetrit”, ndjesia e lënies së kësaj bote, injektohet dalëngadalë edhe tek vetë subjekti, por pa arritur të rrënjosë dot asnjëherë në vetëdijen e tij mendimin e “frikës së vërtetë”. Ndonëse frika e vdekjes trondit herë pas here themelet e ekzistencës së qenies, ajo mbetet thjesht një frikë profane, pasi rrit përherë e më tepër përmasat e manisë, për të shijuar sa më shumë kënaqësi, brenda kohës që i ka mbetur për të jetuar. Po të bënim një ndarje fiktive të këtij rrëfimi në dy pjesë (ku si pjesë të parë të shënjonim atë para skenës së gjahut), do të vërenim se vdekja projektohet tek lexuesi nedy mënyra krejt të ndryshme. Për të analizuar këto mënyra, do të na vinte në ndihmë, dallimi që Todorovi vendos mes universit imagjinar të sjellë nga autori dhe atij imagjinar të ndërtuar nga lexuesi: “Shkaku i këtij dualiteti është se teksti i përmend faktet në dy mënyra që kam propozuar të quhen: domethënie dhe simbolizim. Faktet e shënjuara kuptohen: për këtë mjafton të dish gjuhën e shkruar të tekstit. Faktet e simbolizuara interpretohen: dhe interpretimet ndryshojnë nga njëri subjekt në tjetrin”. Kështu, shohim se në pjesën e parë të rrëfimit, realiteti i vdekjes shënjohet nga vetë fjalët e tekstit, ndërsa në pjesën e dytë, ndodhjet “e befta” të protagonistit tonë karshi vdekjes, na shtyn t’i interpretojmë këtë të fundit si një paralajmërim për ndëshkimin e një qenieje, e cila është e destinuar të shkojë drejt një fundi jo vetëm fizik. Qëndrimet e hapura të autorit kundrejt degradimit të plotë moral të kësaj qenieje, vihen re në pjesën e parë, në detajet e shpeshta ligjërimore që “ngrenë krye” gjatë leximit.

Më pas, këto detaje, duket se heshtin, për t’ia lënë vendin “vendimit” që do t’i jepet Xheladin Beut, pas “akuzave” të ngritura për të. Mirëpo, ky vendim nuk jepet në mënyrë të menjëhershme e të kapshme për çdo lloj lexuesi. Autori e përgatit “terrenin tekstor”, duke futur fillimisht në të, disa elementë në dukje të parëndësishëm, vlera e të cilave del vetëm më pas. Nëse në pjesën e parë, shembja fizike e qenies zbulohej përmes kundërshtisë zot-rrënimtar, e ardhmja e saj nis të trajtësohet në “horizontin tekstor” nëpërmjet karremit narratologjik të kërmës.

“Papritur era solli një kundërmim kërme. Beu e trimat trembën një tufë galash të shtruara në gosti. Këto u ngritën e u shqitën sipër kalorësve si ca hije të zeza, krokërinë me zemërim, ranë në një ugar, u ngritën përsëri e u kthyen në gostinë e tyre. Beu nxori një cigare, e ndezi, që të shpëtonte nga kundërmimi i kërmës”.

Para sjelljes së këtij episodi, rrëfimtari na ka informuar se beu tani e kish marrë pak veten. Ashtu si në pjesën e parë, antiteza mes gjendjes shpirtërore të qenies dhe asaj çka ofron jashtësia, mbart gjithë dramacitetin e rrëfimit. Por ky dramacitet bëhet më marrafrymës, atëherë kur është jashtësia e zbrazët dhe e pajetë, se sa në rastin kur këto mungesa i gjejmë të mishëruara në vetë qenien. Vëmë re gjithashtu se vdekja “i zë rrugën” Xheladin Beut, sa herë që mendimi i tij çakërdiset për qejfe e ahengje. Thënë ndryshe, sa herë që ai mëkaton me mendje, apo “sulet” të mëkatojë edhe me vepra. Ndoshta “jo rastësisht”, episodi i kërmës, përsëritet sërish, menjëherë pas skenës me Maron e Kovit.

“Era e kërmës sillte një kundërmim të rëndë; udha shkonte pranë vendit ku gjendej kërma e gomarit të ngordhur. Beut iu duk sikur e kish zënë dikush për gryke dhe e shtrëngonte. “Kërmë, krimba. Kështu do të bëhem edhe unë nesër?”.

Pas “takimit” për herë të dytë me kërmën, Xheladin Beu duket se s’do të shpëtojë dot më prej kundërmimit të saj. Prej qenies së tij do të shkëputet pjesa më shtazarake dhe ai do të ndodhet krejt papritur ballë për ballë me poshtërsinë e vet. Tmerri i kësaj poshtërsie do të sjellë shembjen e tij përfundimtare, pasi krahas rrënimit fizik (për të cilin ai ishte ndërgjegjësuar në njëfarë mënyre), do t’i hapen sytë për të parë edhe rrënimin e tij shpirtëror. Degjenerimi moral gjer në kufijtë e incestit, do ta çojë drejt një çmendurie, e cila nuk rezulton të jetë pasojë e ndonjë reflektimi të lindur “natyrshëm” në vetëdijen e tij, por një zgjidhje deux ex macine. Kjo, për faktin se protagonisti ynë nuk shfaq ndonjë ndjenjë pendimi. Madje, deri në çastet e fundit para çmendjes, ai mendon se e kanë gënjyer, për faktin se është baba i një vajze, të cilën e dëshiron me gjithë forcën e instinkteve të tij shtazarake. Një qenie tjetër, sado e denatyruar të kishte qenë, do të ishte ndalur të reflektonte, qoftë edhe për një grimë kohe, nëse do i ishte kumtuar një “lajm” si ai i Xheladin Beut, pasi mjafton vetëm përmendja e një fakti të tillë që çdo human të dridhet prej tmerrit. Ndërkohë që protagonisti ynë nuk e provon asfare një ndjesi të tillë. Madje, mospranimi i vajzës, e ndez më tepër fantazinë e tij seksuale, duke e shtyrë me një forcë gjithnjë në rritje drejt objektit të refuzuar. Në çastin kur kjo fantazi ka arritur “pikën e vlimit”, ndodh edhe kthjellimi i qenies për të vështruar vetveten. Procesi i “hapjes së syve” fiton kështu një peshë të madhe simbolike, si për t’i treguar Xheladin Beut atë mallkim që do të bjerë së afërmi mbi të. Ky mallkim bëhet akoma më i tmerrshëm, atëherë kur dhe vetë qenia e kupton arsyen përse i është dhënë, sesa në rastin kur ajo largohet pa e kuptuar transformimin e saj. Të bësh një qenie të kuptojë poshtërsinë e vet, duke e vënë “me kas” përballë kësaj të fundit, e shndërron dënimin me vdekje, në një ironi tepër të hidhur, për të gjithë ata njerëz që i falen mëkatit, me të njëjtën devotshmëri që besimtarët i falen Hyjnisë së Shenjtë. Është gjithashtu një tallje për ata “zota”, që përveç vdekjes së tyre fizike (të cilën e ka borxh çdo vdektar), do të dënohen edhe me vdekjen e shpirtit. Ironia shkon deri në kufijtë e sarkazmës në fjalët që Xheladin Beut i duket se dëgjon nga varrezat:

“Aty mbi udhë kish ca varre që i kishin mbytur ferrat. Iu duk sikur pa një dritë e sikur dëgjoi një zë :

- Hajde, se të presim, o Xheladin Be! Të presim të na vish në tabut floriri, ashtu siç të kanë tundur në djep”.

Ndihen në “timbrin” e këtij zëri, tonet therëse të ironisë, për një qenie, ndëshkimi i së cilës, ishte “profetizuar” prej autorit, që në fillimin e këtij rrëfimi, kur Xheladin Beu sapo kishte nisur të trajtësohej në vetëdijen e lexuesit, si një zot çuditërisht rrënimtar. Shfaqja për të dytën herë e galave në skenën e çmendjes, shërben për të na treguar, se edhe protagonisti ynë do të kthehet pas vdekjes veç në një kërmë, e cila do të serviret në gostinë e tyre, sikurse kokallat e gomarit të ngordhur, që ndodhen “papritur” plot dy herë në rrugën e Beut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›