E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta ndaj Policisë së Shtetit

Në letër-protestën, e cila mban datën 20 nëntor 2008, e që i është drejtuar nominalisht drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, Hekurudha Shqiptare ngre shqetësimin e saj për situatën e rëndë të krijuar në këtë sektor të transportit publik, tha Ramadani. Në letër shkruhet se “me shqetësim konstatojmë dhe ju informojmë se gjatë kësaj periudhe goditjet nga jashtë dhe thyerjet e xhamave të trenave udhëtarë në lëvizje jo vetëm që nuk janë minimizuar, por janë shtuar”. Më poshtë, drejtuesit e HSH-së kanë përcaktuar edhe zonat më të rrezikshme, në të cilat trenat bombardohen me gurë dhe me objekte metalike. “Ky fenomen i dëmshëm evidentohet më shqetësues në segmentin hekurudhor Tiranë-Vorë. Vendet nga ku qëllohen trenat janë Domja, Kashari dhe Lapraka”, – vijon letër-protesta. Drejtuesit e hekurudhës kanë vendosur që pasi të rinovojnë të gjitha xhamat e trenave të udhëtarëve të aplikojnë një masë administrative disi të veçantë. Për çdo xham të thyer do të mbahet procesverbal, sipas të cilit, dëmi do të shlyhet nga polici i shërbimit të trenit. Kjo masë ka për qëllim që të ndikojë e të nxisë bashkëpunimin e sektorëve të ndryshëm të policisë. Drejtuesit e HSH-së janë të mendimit se thyerjen e xhamave e nxisin ata persona, që kanë lidhje me biznesin e transportit tokësor të udhëtarëve, i cili realizohet me furgonë dhe autobusë. Sipas tyre, ky është një fenomen që kërkon të frikësojë udhëtarët e trenave, në mënyrë që ata t’i drejtohen mjeteve të tyre të transportit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›