E Martë, 3 Nëntor 2026

Zotkaj: Jemi në një linjë me Ramën për të ndihmuar Ukrainën me municione

Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj ka bërë të ditur se është në një linjë me kryeministrin Edi Rama për të ndihmuar Ukrainën me municione.

Duke folur në studion e emisionit “3D”, në RTSH1, kryebashkiaku Zotkaj nënvizoi se Shqipëria ka shprehur interesin dhe ka negociuar me Turqinë për të prodhuar municione para fillimit të luftës në Ukrainë.

“Ne me kryeministrin kemi qenë në linjë edhe më parë. Kryeministri ka negociuar edhe me Turqinë, me Erdoganin për të prodhuar municione të ndryshme në Shqipëri, pa ardhur lufta në Ukrainë. Përpjekjet tona kanë qenë të vazhdueshme dhe janë. Ne mund të prodhojmë edhe për ushtarët, edhe për policinë, edhe për poligonet”, u shpreh kryebashkiaku Zotkaj.

Kreu i Bashkisë së Poliçanit vuri në dukje gjithashtu se sa i përket procesit të prodhimit të municioneve në këtë qytet e gjitha shkon në një linjë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ne jemi në një linjë sepse në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të qeverisë shqiptare jam. Sot u ngacmova nga disa media se nëse është kombinati mekanik i gatshëm të prodhojë apo jo”, nënvizoi Zotkaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›