E Enjte, 5 Nëntor 2026

Zuri hapësirën publike në plazh, procedohet administratori si dhe sekuestrohen 120 çadra e shezlonge

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Policia e Vlorës, ka vijuar kontrollet në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”,  në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe, për pushuesit.

Kështu, policia ka liruar hapësira në vijën bregdetare, në Lungomare, Vlorë, teksa është proceduar penalisht administratori i subjektit të paregjistruar në organet tatimore, i cili zuri hapësirën publike në plazh, duke vendosur pa lejen përkatëse, çadra dhe shezlongë.

Gjithashtu janë sekuestruar 120 çadra dhe shezlongë.

Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga Komisariati i Policisë Vlorë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. B., 55 vjeç, banues në Vlorë.

Shërbimet e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Vlorë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Lungomare”.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojë intensivisht në qarkun Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›