Zv.Presidenti i Asamblesë së OSBE, Grosruk takon kreun e LSI-së, Meta
TIRANË- Zv.Presidenti i Asamblesë së OSBE-së, njëkohësisht i dërguar special për të vëzhguar zgjedhjet në vendin tonë, Volfgang Grosruk, është takuar sot me kreun e LSI-së, Ilir Meta, pjesë e koalicionin qeverisës. Mësohet se temë e diskutimeve ishin zgjedhjet parlamentare në vend, për të cilat Grosruk është shprehur se ishin më të mirat e realizuara në Shqipëri.
Ndërkohë ai është shprehur për mediat se raporti përfundimtar i OSBE-së për zgjedhjet do të dalë në mesin e muajit shtator. Nga ana e tij kreu i i LSI-së, mësohet ti ketë thënë Grosruk se shqetësues ka qenë administrimi i zgjedhjeve. Ndërsa për nisjen e negociatave me Berishën për postet qeveritare, Meta nuk ka treguar datën, por ka thëne se do të zhvillohen brenda afateve.
Zv.Presidenti i Asamblesë së OSBE-së, pas Metës pritet të takojë edhe Kryeministrin Berisha si dhe nënkryetaren e PD-se, Topalli. Ai shoqërohej nga shefi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch.
Austriaku, Volfgang Grosruk ishte caktuar nga kryesia e OSBE si koordinator special i ekipit të përkohshëm të vëzhguesve të OSBE në Shqipëri. Udhëheqësi afatshkurtër i OSBE-së, është shprehur në një raport paraprak për zgjedhjet se "në votimet e kësaj radhe nuk ndodhen problemet për të cilat komuniteti ndërkombëtar frikësohej, ndërsa shton se vendi po ecën në rrugën e duhur".