Zvarritja e kontestit të emrit do të shkaktojë tensione

Analistët politik në Maqedoni vlerësojnë se zvarritja e zgjidhjes së kontestit të emrit do të mund të shkaktojë tensione ndëretnike.
“Pa dyshim, zvarritja e zgjidhjes së kontestit të emrit do të përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike në vend. Shqiptarët bëhen nervozë kur shohin se proçeset evro integruese të vendit nuk janë prioritet të kësaj qeverisje”, deklaron analisti politik Albert Musliu.
Sipas tij, ky proçes i zvarritjes do të shkaktojë edhe ndarje në koalicionin qeveritarë në raportet midis BDI dhe VMRO-DPMNE.
“Në momentin që BDI vlerëson se humbjet që i pëson për shkak të moszgjidhjes së emrit janë më të mëdha se përfitimet që i ka nga pjesëmarrja në pushtet, ajo sigurisht do të ketë ndikim”, deklaroi Musliu.
Ligjëruesi i së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare në institutin gjerman ISPE, Mr.Muhamer Pajaziti vlerëson se ky vit do të jetë vendimtar persa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit dhe se në këtë vit do të qartësohen shumë rruge të zhvillimit të vendit.
“Të gjitha analizat dhe parametrat e ecurisë së procesit alarmojnë se ky vit do të jetë përcaktues. Qeverisja aktuale ka shansin e fundit për të orientuar timonin e drejtimit të axhendave shtetërore me interes strategjik të cilat në njërën anë kanë stabilizimin, performancën pozitive në planin politik dhe zgjidhjen e emrit, ose do të kemi një situatë që na çon në krizë të përgjithshme ku nuk shmangen as marrëdhëniet ndëretnike”, thekson Pajaziti, që sipas tij, gjatë këtij viti do të vlerësohet se sa do të jetë e angazhuar bashkësia ndërkombëtare rreth Maqedonisë.
Mozgjidhja e kontestit të emrit është nënvizuar si problematike për vendin edhe në analizat e ndryshme ndërkombëtare.