E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pentagoni, më pak fonde

Buxheti i Pentagonit do të reduktohet me 78 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates tha se këto reduktime i shtohen kursimeve të brendshme tashmë të bëra publike, në vlerën e 100 miliardë dollarëve. Këto janë reduktimet më të mëdha, që prej sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.Vitin e kaluar shpenzimet për mbrojtjen ishin mbi 700 miliardë dollarë, duke përfaqësuar pjesën më të madhe të buxhetit federal.
Megjithëse numri i ushtarëve do të ulet me 6% apo 47 mijë trupa, shpenzimet për Irakun dhe Afganistanin nuk do të reduktohen.Gates shpjegoi se reduktimet në shpenzimet e Pentagonit janë të detyruara nga reçesioni botëror dhe presioni i brendshëm për të gjetur mënyra për t`i bërë ballë shpenzimeve federale. Sipas planit të buxhetit, ai për mbrojtjen do të vazhdojë të rritet në dy vitet e ardhshme, por pas kësaj, do të ndërpritet. Kërkesa per buxhetin nga ana e presidentit për 2012 do të jetë 553 miliardë dollarë, 13 miliardë më pak nga çfare ai kishte projektuar.
Sekretari Gates e quajti propozimin e tij për buxhetin “të arsyeshëm, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm” dhe tha se paraqet minimumin e nevojshëm për të mbrojtur vendin nga kërcënimet botërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›