Zv.drejtori i përgjithshëm i KE-së Sannino takim me Topin

Situata post zgjedhore por edhe zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit ka sjellë sot në Tiranë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino. Gjatë vizitës së tij në Tiranë Sanino do të zhvillojë një takim me presidentin Bamir Topi.
Vizita e Saninos vjen vetëm dy ditë para se në Tiranë të mbërijnë për një vizitë një ditore Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso si dhe Komisioneri për Zgjerim në BE Stefan Fyle.
Krerët europianë do të zhvillojnë një vizitë në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri, më 19-21 maj. Kjo vizitë dy ditore është pjesa e dytë e turneut të nisur nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, në Bosnje, Kroaci, Malin e Zi dhe Maqedoni në fillim të muajit prill.
Në Shqipëri dy drejtuesit e lartë pritet të nxisin autoritetet për më shumë reforma si dhe do të diskutojnë për çështjen e abuzimit me lëvizjen pa viza nga qytetarët e vendit tonë.
Vizita e tyre vjen në një moment shumë delikat kur ende klasa politike shqiptare nuk ka mbyllur llogaritë me zgjedhjet e 8 majit dhe ku ende nuk është shpallur një fitues për bashkinë më të madhe në vend.