Dacic: Zgjedhjet serbe në Kosovë "nuk janë të diskutueshme"

Ai ka pranuar se ka pasur presion nga bashkësia ndërkombëtare që këto zgjedhje të mos nënshkruhen në territorin e Kosovës.
“Serbia absolutisht nuk do të flasë për atë nëse këto zgjedhje duhen ose jo mbajtur në Kosovë. Zgjedhjet janë mbajtur 12-13 vjet dhe nuk e di përse tani do të ishin të diskutueshme”, ka thënë Daçiq për mediat në Beograd.
Duke komentuar deklaratat e raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Jellko Kacin, se zgjedhjet serbe në Kosovë do të ishin problem, Daçiq ka thënë se kjo nuk është pyetje në të cilën duhet të përgjigjet Kacin.
“Qeveria jonë me siguri se nuk do të pyesë dikë nga jashtë për nënshkrimin e zgjedhjeve. Serbia është shtet dhe sovraniteti i saj duhet të respektohet”, ka thënë Daçiq.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Lubomir Kragoviq, ka planifikuar për sot seancën, në të cilën do të diskutohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Evropianët paralajmërojnë “pasoja” për Serbinë
Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, kërkoi që Beogradi të heqë dorë nga vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës.
Ajo tha se duhet bërë dallim midis zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare të Serbisë, të cilat, sipas saj, do të mund të mbaheshin bazuar në parimin e dyshtetësisë dhe në koordinim me autoritetet kosovare.
Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, Lunacek tha se i takon edhe administratës së Kombeve të Bashkuara që vepron në Kosovë t’u bëjë të qartë serbëve se nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale.
“Është e qartë që zgjedhjet lokale nuk bën të mbahen atje dhe jam e sigurt që UNMIK-u do t’ua bëjë këtë të qartë serbëve, ndërsa shpresoj që serbët ta kuptojnë këtë”, tha ajo.
Bashkimi Evropian-veçanërisht Berlini zyrtar, ka qenë deri më tani mjaft i zëshëm në kërkesën drejtuar Serbisë për zhbërjen e strukturave të saja paralele në Kosovë dhe mosmbajten e zgjedhjeve lokale.
Rëndësia për përmbushjen e kësaj kërkese dhe për përmirësimin e raporteve me Kosovën u theksua edhe pasi Serbia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Lunacek tha se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, shteti serb do të vepronte në kundërshtim me marrëveshjet e arritura me BE-në.
Eurodeputetja theksoi se Beogradi do të rrezikonte marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, po që se zbaton vendimin e së martës.
“Nëse e bëjnë këtë (nëse i mbajnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës), atëherë mendoj se do të kenë probleme në marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe vendimi për këtë çështje do të shtyhej më tej”, theksoi eurodeputetja Lunacek.
Serbia vendosi, ditë më parë, që bazuar në kushtetutën e vendit, ku Kosova cilësohet të jetë ende pjesë përbërëse e Serbisë, zgjedhjet lokale të mbahen në Kosovë. Nga procesi zgjedhor thuhet se do të përjashtoheshin Prishtina, Peja, Leposaviqi, Mitrovica dhe Novobërda, ngase në këto komuna, siç thuhet, pushtetet lokale kanë ende mandat.
Serbia vazhdon më të vetën për zgjedhjet
Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Lubomir Kragoviq, ka planifikuar për sot seancën, në të cilën do të diskutohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Kragoviq u ka thënë mediave serbe se në takim është ftuar edhe kryetarja e Parlamentit, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, si dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.
Gjukiq Dejanoviq të martën ka nënshkruar zgjedhjet lokale në të gjitha komunat dhe qytetet, ku pushtetit lokal i ka kaluar mandati, përfshirë dhe komunat me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne jemi të detyruar të respektojmë Rezolutën 1244 dhe pres që Qeveria e Serbisë të zgjedhë organin shtetëror, i cili, bë bashkëpunim me UNMIK-un, do t’i shqyrtojë të gjitha aktivitetet e lidhura me zgjedhjet në Kosovë. Ne jemi të detyruar të respektojmë edhe Kushtetutën e Serbisë, edhe Rezolutën 1244”, ka thënë Gjukiq Dejanoviq.
Autoritetet kosovare kundërshtojnë fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se paralajmërimi për mbajtjen e tyre është provokim i konfliktit të ri, që “do të kishte pasoja për gjithë rajonin”.
Kundër zgjedhjeve të shtetit serb në Republikën e Kosovës është shprehur edhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. (REL)