E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zviceranët fitojnë koncesionin për 35 vjet të pullave fiskale

Qeveria miraton kontratën. Mister çmimi i shitjes dhe vlera e pullave

Pas një viti intensiv dhe me tension mes palëve, qeveria lidh më në fund kontratën me shoqërinë zvicerane, “Sicpa”, e cila do të mundësojë prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale për artikujt e luksit, duke përfshirë këtu edhe ilaçet. Bëhet fjalë për koncesionin me afat 35 vjet, gjatë të cilit shoqëria private do të ngrejë një sistem kontrolli dhe sigurie që shmang evazionin fiskal, pasi në çdo ambalazh produkti do të vendoset një pullë e re, që garanton ligjshmërinë dhe formalitetin në mbledhjen e të ardhurave.

Vendimi

Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Financave, për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet “Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërive ‘Sicpa Security Solutions’ (dega kryesore) dhe ‘Sicpa Security Solutions, Albania’, (filiali në Shqipëri), për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”.

Projektligji i miratuar dje nuk përmbante asnjë informacion rreth kontratës së lidhur sa i takon vlerës së investimit, kostos për nxjerrjen e pullës fiskale dhe ndikimi që do të japë te produktet si duhan, pije alkoolike, birrë, kafe dhe ilaçe.

Kujtojmë se tenderi i zhvilluar në fillim të këtij viti u shoqërua me ankesa nga shoqëritë rivale, ndërsa nga pala e qeverisë nuk u dha asnjë informacion rreth procedurave, duke e mbajtur të fshehur deri në momentin e fundit, kur dje qeveria shpalli fituesin dhe lidhjen e kontratës.

Tenderi

Më 2 shtator 2009 pas propozimit nga “Sicpa”, Këshilli i Ministrave ka hapur procesin e tenderimit për koncesion 35-vjeçar për sistem të gjurmimit dhe përcjelljes së banderolave për të hyrat. Më 23 dhjetor, Parlamenti ka plotësuar dhe ndryshuar ligjin për të ardhurat nga akciza, që i kanë bërë banderolat tatimore një “monopol shtetëror”, duke ua mundësuar atyre kontraktimin e jashtëm të kompanive private përmes miratimit nga Parlamenti. Ofertat për tenderin janë hapur më 2 shkurt, kur komisioni i përzgjedhjes nga Ministria e Financave ka diskualifikuar ofertën e vetme konkurruese karshi ofertës së “Sicpa”-s. Referuar agjencisë së lajmeve investigative, “Balkan Insight”, oferta e kompanisë britanike “De La Rue Security” ishte më e ulët në çmim, por u diskualifikua sepse ajo nuk i kishte ofruar dokumentacionin për pagesën e tatimeve me kohë.

Tregu

Kompanitë e duhanit, që tregtojnë paketa në Shqipëri janë ankuar që procesi i tenderimit nuk ishte transparent, dhe që sistemi i shtrenjtë i “Sicpa”-s nuk do të mund të pengojë shitjen e produkteve ilegale, ndërkohë që cigaret në tregun shqiptar shiten pa vula apo banderola tatimore nga vendet e tjera. Biznesi ka ngritur shqetësim edhe përmes Dhomës së Tregtisë Shqiptare-Amerikane, duke e vlerësuar procesin në mungesë të plotë transparence dhe që rrezikon rritjen e çmimeve.

Konsumi

Statistikat nga organizatat e ndryshme jopublike tregojnë se numri i duhanpirësve në Shqipëri është rreth 870 mijë persona, shifër tepër e lartë në raport me vendet e tjera. Me rritjen e akcizës, jo vetëm që synohet frenimi i sëmundjeve nga duhani, por Ministria e Financave përfiton të shtojë të ardhurat në buxhet, që parashikohet me të paktën 2.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar, nga taksa e akcizës vetëm për duhanin dhe nënproduktet e tij u arkëtuan rreth 9.1 miliardë lekë, ose gati 6 për qind më shumë se viti 2008.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›