Nishani i dorëzon Flamurin Kombëtar paraçiklistit Haki Doku
TIRANE- Presidenti Bujar Nishani i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar paraçiklistit Haki Doku, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Paraolimpike Londër 2012.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast në Presidencë, Nishani shprehu bindjen se atleti Doku, falë punës dhe sakrificës së tij, do ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë dhe do ta mbajë lart flamurin shqiptar me nder dhe përgjegjësi. "Sot, kam nderin të dorëzoj Flamurin Kombëtar tek jo vetëm një sportist i talentuar, por mbi të gjitha tek një njeri, që mbart dhe përçon vlera njerëzore, një shembull që na tregon se aftësitë e kufizuara fizike nuk i kufizojnë dot pasionet dhe dëshirat e mira të njeriut. Unë, nga kjo ceremoni dëshiroj të të falenderoj mbi të gjitha ty Haki, për pasionin tënd, sakrificat e tua dhe shembullin që t’i sjell duke nderuar dhe mbajtur lart flamurin tonë kombëtar", u shpreh Presidenti Nishani, gjatë dorëzimit të Flamurit Kombëtar.
Kreu i Shtetit vlerësoi se pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në një eveniment kaq të rëndësishëm është një moment historik për sportin shqiptar, duke uruar që kjo përvojë në të ardhmen të kthehet në traditë.
"Padyshim që lojërat olimpike që sapo u mbyllën me sukses dhe ato që pritet të nisin në pak ditë janë jo vetëm një konsolidim i një tradite mjaft të vjetër sportive, por, gjithashtu shërbejnë si një ngjarje sociale madhore dhe mundësojnë sensibilizimin e gjerë publik për krijimin e kushteve për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore të personave me aftësi të kufizuara", u shpreh Presidenti, duke përcjellë mirënjohje të veçantë për Mbretërinë e Bashkuar që po mirëpret sportistë nga e gjithë bota dhe po krijon kushtet maksimale për ndërgjegjësimin e duhur publik ndaj kësaj kategorie.
"Të mbash lart flamurin shqiptar padyshim që krahas nderit është edhe një përgjegjësi e madhe. Jam i sigurt se pas disa ditësh do të marrim lajme të mira për një shqiptar të mirë që në kuadër të 100- vjetorit të pavarësisë do të përcjellë lajme pozitive tek të gjithë ne", iu drejtua Kreu i Shtetit paraçiklistit Doku, duke i dorëzuar Flamurin Kombëtar.
Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicolas Cannon, Presidentja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ela Tase, si dhe Drejtori i Fondacionit Vodafone, Albi Greva.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Fondacionit Vodafone, i cili është dhe donatori kryesor për atletin paraolimpik shqiptar, paraçiklistin Haki Doku, si dhe Ambasadori britanik në Shqipëri, Nicolas Cannon.
Presidentja e KOKSH-it, Ela Tase vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit të këtyre veprimtarive që dëshmojnë mbështetjen e shtetit shqiptar për sportin, në mënyrë që sporti shqiptar i të gjitha disiplinave dhe niveleve të ketë përfaqësim dinjitoz në veprimtari sportive ndërkombëtare.
Ndërsa Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nikolas Cannon, tha se “kjo ceremoni demonstron qartë që kjo është një fushë ku Shqipëria po ndryshon me hapa të shpejtë”. “Qeveria qendrore dhe vendore po bëhen të përgjegjshme për çështjen e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuar. Publiku po bëhet me i ndërgjegjshëm për nevojat dhe dëshirat e personave me aftësi të kufizuar. Jam i kënaqur që Këshilli Britanik ka qenë aktiv në adresimin e këtyre nevojave”, tha Cannon, duke përgëzuar punën e Fondacionit Vodafone nëpërmjet programit “Bota e Ndryshimit”, i cili nëpërmjet një game të gjerë projektesh mbarëkombëtare përshin njerëzit me aftësi të kufizuara”.
(ma.ar/BalkanWeb)