E Diel, 1 Nëntor 2026

Zvicra, mbështetje konkrete Shqipërisë në legjislacion dhe projekte konkrete në fushën e mbrojtjes.

  Bashkëpunimi me projekte e marrëveshje në fushën e mbrojtjes ishte temë e bisedës mes Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrit të Mbrojtjes së Zvicrës Samuel Shmid, në takimin që ky i fundit i rezervoi delegacioni shqiptar gjatë vizitës zyrtare në Zvicër.

Ftesa e marrë nga Shqipëria për anëtarësim në NATO, tha zoti Shmid është një ngjarje shumë domethënëse dhe me rëndësi për Shqipërinë por edhe për të gjithë rajonin.

Anëtarësimi në NATO është një ndër objektivat tona primare, tha Kryetarja e Kuvendit. Ne po punojmë me parlamentet e vendeve anëtare për të pëmbyllur ratifikimin e protokollit të anëtarësimit për të bërë të mundur anëtarësimin me të drejta të plota në samitin e ardhshëm.

Kryetarja e Kuvendit evidentoi rëndësinë që Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë  po i jep fushës së mbrojtjes duke rritur së fundmi në 2 përqind të GDP-së buxhetin për ushtrinë. Ajo theksoi se mes Shqipërisë dhe Zvicrës ekziston një bashkëpunim shumë i ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe këto marrëdhënie shumë të mira, veçanërisht përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe akordimit të paisjeve materiale nga ana e palës zvicerane duhet të kenë vazhdimësi.

Biseda u ndal në bashkëpunimin konkret, ku zoti Shmid ofroi mbështetje në fushën e legjislacionit dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes veçanërisht për sa i përket emergjencave civile Zvicra , tha ai, është e gatshme të ofrojë të gjithë përvojën e saj në këtë fushë të rëndësishme.


Duke folur rreth çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës Zvicra ishte ndër vendet e para që e njohu, Kryetarja e Kuvendit theksoi se gjithkush duhet të ketë të qartë se Kosova është një rast unik dhe se ky shtet i ri duhet të jetë tashmë pjesë e organizatave ndërkombëtare.


Më tej, në një seancë të posacme dëgjimore me krerë të komisioneve parlamentare, kryesuar nga znj. Chiara Simoneschi-Cortesi, zëvendëspresidente e Këshillit Nacional, u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, ecurinë dhe reformat.

Kryetarja e Kuvendit ju përgjigj interesit të parlamentarëve zvicerianë mbi klimën ekonomike të favorshme për investime, mbi ecurinë në rrugën e anëtarësimit  në BE dhe NATO dhe mbi reformat që janë në proces në parlament.

Duke u fokusuar në reformën në drejtësi, Kryetarja e Kuvendit theksoi domosdoshmërinë e reformimit të këtij sistemi. Kemi nisur punë dhe kemi rezultate të dukshme, tha ajo, por kjo reformë është e vazhdueshme për ti dhënë qytetarëve shqiptarë shtetin e së drejtës që meritojnë.

Lufta kundër korrupsionit tha Kryetrja e Kuvendit, ka sjellë renditjen e Shqipërisë në dhjetë vendet me qeverisjen më të suksesshme në këtë luftë. Në sajë të reduktimit të korrupsionit kemi mundur të rrisim me 1 miliard të ardhurat në buxhet, tregues ky real dhe i prekshëm.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se rritja e bashkëpunimit parlamentar do të sjellë edhe një rritje të marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha si ekonomia, infrastruktura, turizmi.


Një vizitë shumë e veçantë ishte ajo në mjediset e universitetit të mirënjohur të Lozanës, në fondacionin Jean Monnet, i njohur si babai i Europës, në qendrën e arkivit më të pasur të dokumeteve të themelimit të Europës së Bashkuar, ku kanë mbajtur referate e konferenca të rëndësishme mbi Bashkimin Europian, figura të mirënjohura të Institucioneve europiane si Barroso, Prodi apo Junker.

Në arkivin me qindra mijra dokumente gjenden marrëveshjet e para të themelimit të Komunitetit Europian, letërkëmbimet e autoriteteve më të larta të viteve 50, të Francës, Italisë, Gjermanisë apo Mbretërisë së Bashkuar mbi idetë për themelimin e BE-së.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›