Kryetarja e Kuvendit: Lufta kundër tumoreve, beteja në emër të jetës, të së ardhmes
Kryetarja e Kuvendit takim me gratë në Myzeqe apelon për mbrojtje të shëndetit
"Gratë janë kyçi i suksesit në betejën kundër tumoreve. Bëjeni kulturë kontrollin shëndetësor të vetes , në emër te jetës, fëmijëve, familjes dhe të ardhmes"- Me këtë mesazh iu drejtua sot Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, grave të komunave të Myzeqesë, por dhe gjithë Shqipërisë, në vijim të turit Gratë për gratë.
Mesazhi i turit të Kryetares së Kuvendit kësaj here, ishte lufta kundër tumoreve dhe kanceri të gjirit në veçanti, ku çdo vit statistikat mjekësore shënojnë rreth 300 gra të sëmura, ku 200 prej tyre nuk arrijnë të mbijetojnë .
Për mua është shumë e rëndësishme dhe një kënaqësi e veçantë të jem këtu për të shprehur mbështetjen si Kryetare e Kuvendit, por dhe si grua, e nënë dhe po ashtu, të Qeverisë tonë, për tju sensibilizuar juve mbi dëmin e madh, që i shkakton shoqërisë sonë kanceri i gjirit, ky vrasës i madh i kohëve moderne. Kjo luftë do të jetë një kryqëzatë, që ne, të mos kemi familje me nëna të sëmura dhe me fëmijët që vuajnë - u shpreh Kryetarja e Kuvendit para qindra grave dhe vajzave të profesioneve ndryshme , të komunave Dermenas, Levan, dhe Pojan, takim, i cili u mbajt në mjediset e Parkut muzeal të Apollonisë.
Duke shtjelluar më tej vizionin e saj ndaj mbrojtjes së kujdesit shëndetësor të grave, Kryetarja e Kuvendit tha se një vizitë më tepër tek mjeku , qoftë në dukje e panevojshme, është më mirë se sa një vizitë e neglizhuar.
Paraqitja e hershme është thelbi i suksesit në këtë sëmundje të rëndë. Një grua e ekzaminuar në kohën e duhur është një grua që i shpëton kthetrave të vdekjes, është një grua që do të jetojë e lumtur bashkë me familjen
Duke iu drejtuar pjesës tjetër të shoqërisë, bashkëshortëve dhe vëllezërvë, të cilët Kryetarja e Kuvendit, i cilësoi si partnërë shumë të rëndëshëm në këtë betejë, u shpreh:
Një bashkëshort i mirë është ai që shqetësohet për shëndetin e gruas, që e inkurajon atë për tu kontrolluar, që jeton me shqetësimet e saj.
Gjatë fjalës së saj për kujdesin shëndetësor të grave, Kryetarja e Kuvendit iu drejtua me një mesazh dhe bluzave të bardha.
Mos nënvlerësoni asnjë grua që vjen e shqetësuar. Ju jeni në pozicionin kyç që mund të kapni çdo rast të dyshimtë dhe duhet të inkurajoni çdo grua të bëjë ekzaminime të tjera.
Me këtë gjest tuajin, mund të shpëtohen 30 pëqind të rasteve të sëmundjes.
Më shumë përkushtim ndaj këtyre grave, më pak korrupsion dhe mendoni si për motrat dhe nënat tuaja
Në fjalët përshëndetëse, gra përfaqësuese të karrierës në komuna, mësuesi, biznes , art, por dhe të një jetë të suksesshme familjare, vlerësuan rolin që po luan Kryetarja e Kuvendit në mbrojtje dhe promovimin të të drejtave të tyre.
Ju jeni promotore e përpjekjeve dhe e gjithë vullnetit femëror për një grua më të fortë në shoqërinë tonë, në vendimarrje, politikë dhe për një karrierë të sukseshme- ishte mesazhi i grave myzeqare, drejtuar Kryetares së Kuvendit.
Në takim Kryetarja e Kuvendit përsëriti thirrjen e saj për pjesëmarrje të grave në politikë, duke nisur nga miratimi që pritet ti bëhet i kuotës prej 30 % të grave në Parlament.
Kjo nuk është një dhuratë, por është një objektiv për tu realizuar përmes punës dhe konkurrencës, brenda fshatit, brenda komunës, qytetit dhe nesër në Parlamentin e Shqipërisë.
Unë jam e sigurt se në legjislacionin e ardhshëm duke pasur më shumë zonja përreth, ne do të kemi mundësi të trajtojmë më shumë dhe cështjen për të cilën jemi mbledhur sot këtu, luftën kundër tumoreve, - u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Gjatë bisedave me gratë e Myzeqesë, Kryetarja e Kuvendit u bëri të ditur atyre, se numri i grave të ekzaminuara po shkon në 10 mijë dhe se vetëm në Tiranë kryhen 4500 ekografi në vit, ndërkohë që qeveria ka pesë fishuar fondin për trajtimin dinjitoz të pacientëve në spital.
Gjatë vizitës së saj në komunat e Myzeqesë, Kryetarja e Kuvendit pati takime me gra biznesmene, të cilat kanë hapur aktivitetin e tyre në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
"Këto gra që drejtojnë biznese, ashtu siç janë të afta të menaxhojnë familjet e tyre, janë janë lidere në fushat e tyre dhe ky është rasti i një historie suksesi. Ky është misioni më i mrekullueshëm që me punë, ato I shërbejnë vetes , familjes, shoqërisë dhe zhvillimit të gjithë vendit"