Kuvendi u mblodh në seancë plenare
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e hënë , më 29 shtator 2008, ora 18:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 25.09.2008.
3. Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal.
4. Projektligji Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme.
5. Projektvendim Për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor ngritur me vendimin nr. 192, datë 30.06.2008.
Për votim:
1. Projektligj Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 Për tatimin mbi vlerën e shtuar, të ndryshuar.
Në diskutimet jashtë rendit të ditës, deputetët përshëndetën ratifikimin e Protokollit të Nato-s nga Senati Amerikan, komentuan raportin e Transparency International, dhe disa raporte të fundit të organizatave ndërkombëtare për Shqipërinë, reformën në sistemin gjyqësor dhe çështje të tjera.
Projektligji Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ngjalli disa orë diskutime, ku ministri i Punëve të Brendëshme Bujar Nishani iu përgjigj një sërë pyetjeve të deputetëve. Sipas tij, miratimi i këtij ligji nga Kuvendi, brenda vitit 2008, është përmbushje e detyrimeve nga nënshkrimi i MSA-së si dhe objektivat e përcaktuara nga qeveria.
"Projektligji bazohet në të gjithë legjislacionin e fushës, atë të të drejtave të njeriut, konventës së OKB-së kundër korrupsionit, ndërkohë që i është referuar eksperiencës ndërkombëtare dhe veçanërisht asaj amerikane. Ky ligj synon të krijojë bazat për rritjen e efikasitetit, pavarësisë dhe forcimit të kapaciteteve të këtij shërbimi për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë" sqaroi ndër të tjera ministri Nishani.
Deputetët miratuan projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, nderkohe qe shtyne per ne seancen e ardhshme votimin ne parim te projektligjit Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme dhe projektligjin Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 Për tatimin mbi vlerën e shtuar, të ndryshuar.
Në përfundim të seancës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi para deputetëve, zgjedhjen e kandidaturës së shumicës Neritan Cekës, nga Konferenca e Kryetareve, si nënkrytetar i Kuvendit, në vend të z. Fatos Beja , i emëruar ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Seanca plenare vendosi të shtyjë afatin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor deri në 31 tetor.Punimet e seances u mbyllen në orën 23.00