E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra, nevojë për 2 gola ndaj Hondurasit

JOHANESBURG-Zvicra ka nevojë për një fitore të paktën 2-0 në ndeshjen e sotme përballë Hondurasit, për të shpresuar në kalimin e turit. Por, në krahun tjetër, trajneri i Hondurasit kërkon nga futbollistët që të shpëtojnë nderin e tyre në takimin e sotëm.

Zvicrës u duhet të paktën një fitore 2-0 në ndeshjen e sotme përballë Hondurasit për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Botës. Edhe pse fitoi 1-0 ndaj Spanjës, skuadra e drejtuar nga Otmar Hitcfeld ende nuk e ka siguruar kualifikimin për më tej, ndërsa situata në grupin H mbetet më e komplikuar se kurrë. Besimi në kampin zvicerian është i madh, pavarësisht se presioni mund të ndikojë për keq te futbollistët. “As që e mendoj dështimin, mendoj se do të arijmë të kalojmë në turin tjetër”, deklaroi kapiteni i skuadrës Aleksandër Frai. Zvicra ka treguar se është një skuadër me një mbrojtje solide, por sot pritet të shihet sesa e aftë është që të bëjë diçka të mirë edhe në sulm. “ne jemi shumë të zotët edhe në fazën sulmuese, mendoj se mund të shënojmë shumë gola”, deklaroi sulmuesi i përfaqësueses helvetike.
Hondurasi
Në krahun tjetër, trajneri i Hondurasit Reinaldo Rueda beson se skuadra e tij ka ende një shans matematikor për të kaluar më tej, ndonëse i duhet të fitojë 3-0 dhe të shpresojë që Spanja do të mundet nga Kili. Për ndeshjen e sotme ndaj Zvicrës ai ka premtuar një betejë në fushën e lojës, duke paralajmëruar ekipin e Hitcfeld se nuk do ta ketë aspak të lehtë. “Të gjithë njerëzit në Honduras presin që ne të luajmë më mirë se në dy takimet e mëparshme, kështu që sot do të kërkojmë të fitojmë për të shpëtuar nderin tonë”, deklaroi Rueda. Në dy takimet e para, Hondurasi është mundur 1-0 nga Kili dhe 2-0 nga Spanja, duke mos treguar shumë gjëra të mira në fushën e lojës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›