E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu F, kërkon sot një fitore tëthellë ndaj Koresë së Veriut

JOHANESBURG-Bregu i Fildishtë ka nevojë për një fitore të paktën 8 apo 9-0 ndaj Koresë së Veriut për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Botës. Megjithëse mendohej si skuadra që mund të bënte surprizën, Bregu i Fildishtë ka vetëm 1 pikë pas 2 ndeshjeve të para.

Bregu i Fildishtë do të kërkojë me forcën e dëshpërimit të arrijë në turin tjetër të Kupës së Botës, teksa sot do të ketë përballë Korenë e Veriut.

Skuadra afrikane ka nevojë për një fitore me 8 apo 9 gola dhe të shpresojë te humbja e Portugalisë për të kaluar në turin tjetër, por një opsion i tillë nuk duket aq i lehtë përballë një skuadre që sot ka vendosur të mbrohet me çdo kusht. Trajneri Sven Goran Erikson u mundua të mbante lojtarët të motivuar, duke thënë se kualifikimi është i arritshëm, por në fakt askush në këtë skuadër nuk e beson këtë. “Jemi në një situatë të çuditshme në grup, - tha suedezi. – Ne luajmë futboll të mirë, por është ekstremisht e vështirë t’u thuash lojtarëve të shënojnë 8 apo 9 gola, në një kohë që duhet të presim të fitojë edhe Brazili. Gjithsesi, do të bëjmë më të mirën në këtë situatë të çuditshme”, shtoi ai. Për ndeshjen e sotme Bregu i Fildishtë do të ketë të gatshëm që nga minuta e parë sulmuesin Didier Drogba, por shanset për tëe kaluar më tej duken thuajse zero.

Humbja 7-0 me Portugalinë i ka shokuar futbollistët e Koresë së Veriut, të cilën e nisën Kupën e Botës me një paraqitje mbresëlënëse përballë Brazilit.

Për takimin e sotëm, ata janë stërvitur në heshtje të plotë dhe pritet që të tregojnë një tjetër formë në krahasim me takimin ndaj portugezëve. Mediat e huaja të pranishme në Afrikën e Jugut shkruajnë se skuadra koreano-veriore ka marrë një udhëzim që të fitojë në ndeshjen e sotme ose të tregojë një formë të mirë, ndryshe futbollistët mund të përfundojnë edhe në punë në minierë. Gjithsesi, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga drejtuesit e skuadrës aziatike, që mendojnë vetëm të arrijnë një rezultat të mirë për ta mbyllur me nder Kupën e Botës, turne ku ata janë kthyer pas 44 vjetësh.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›