E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra nuk zbut regjimin e vizave

Problemi do të rishqyrtohet edhe njëherë vitin e ardhshëm në kuadrin e përpunimit të procedurave komplete të vizave

Këshilli Federal ka vendosur që të mos e zbusë regjimin e vizave ndaj shtetasve të vendeve jashtë Be-së dhe Efta-s. Fjala është për 33 shtete që bëjnë pjesë në atë kategori. Këshilli ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në trajtimin e bërë në parlament.

Kështu, liberalizimi i planifikuar, në dritën e debatit mbi migracionin nuk do të gjente mbështetjen e duhur të gjerë, thuhet në një komunikatë të Zyrës Federale për Migracion (BFM). Por çështja do të rishqyrtohet edhe njëherë vitin e ardhshëm në kuadrin e përpunimit të procedurave komplete të vizave, raporton albinfo.ch.

Aktualisht, qytetarët e 33 shteteve të përmendura kanë të drejtë që në një hark kohor prej gjashtë muajsh të qëndrojnë në Zvicër pa viza për një periudhë prej më së shumti 90 ditësh, me kusht që të mos kërkojnë punë këtu.

Zbutja e paraparë konsistonte në lejimin e qëndrimit pa viza të shtetasve në fjalë edhe në rast se ata do të punonin në Zvicër. Por puna në Zvicër megjithatë do të nënkuptonte detyrimin për leje pune dhe paraqitje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›