Zvicra përzë Belle Air
Prej 1 nëntorit, kompania Belle Air nuk do të lejohet më të kryejë fluturime drejt Zvicrës. Kjo është bërë e ditur nga kompania Darwin Airlines, përmes së cilës Belle Air operon nga Prishtina në Zvicër.
Zyrtarisht nga Aeroporti i Prishtinës heshtin rreth këtij vendimi, ndërkohë që mësohet nga shteti helvetik se Belle Air ndëshkohet për shkak të shumë skandaleve që ka shkaktuar kjo kompani gjatë sezonit të verës me pasagjerët duke i lënë nëpër aeroporte.
Për shkak të problemeve financiare, pasigurisë, pakënaqësive të udhëtarëve e borxheve milionëshe, është vendosur që të mos i lejohet më kësaj kompanie të operojë me shtetin zviceran, ka treguar burimi i gazetës Zëri.
Skandali i fundit i Belle Air ndodhi me kombëtaren e Shqipërisë para dy ditësh, ku së bashku me gazetarët e të gjithë stafin kanë mbetur të bllokuar në Islandë edhe lojtarët e skuadrës. Aeroplani i Belle Air, duhej të ishte nisur që në orën 11:00, por nuk e kishte bërë një gjë të tillë dhe si rezultat kombëtarja ka mbetur e bllokuar në aeroportin e Reikjavikut.
Kjo ndodhi për shkak se Belle Air nuk e kishte paguar korridorin ajror dhe aeroplani nuk mund të nisej.
Vetëm gjatë muajve të fundit, qershor, korrik, gusht, në hapësirat e aeroportit të Prishtinës Adem Jashari, jo rrallë herë ndodhte e njëjta gjë.
Qindra qytetarë të Kosovës, që kishin destinacion vende të ndryshme të Evropës, kanë humbur vendin e punës, apo fëmijët shkollën, sepse aeroplanët e Belle Air nuk niseshin sipas planifikimeve.
Sipas gazetës Zëri, kjo kompani përveç skandaleve të vazhdueshme me udhëtarët, i ka borxh shuma prej miliona eurosh aeroportit të Prishtinës.
Vizion Plus iu drejtua në rruge zyrtare autoriteteve të aeroportit të Tiranës, Nënë Tereza, për të kuptuar nëse një masë e tillë ekziston edhe në raport me vendin tonë.
Personat përgjegjës thanë se nuk kanë njoftim për ndërprerje të fluturimeve me Zvicrën, pasi aeroporti ynë funksionon ndryshe nga ai i Kosovës.
Por Vizion Plus tentoi një procedure rezervimi online, nga Tirana në Cyrih të Zvicrës, përmes faqes zyrtare të Belle Air. Në datat 14 deri në 17 nëntor, por as edhe në data të tjera, rezervimi nuk mund të kryhej pasi nuk kishte as orare dhe as çmime për bileta të mundshme.
Po kështu në një nga sajtet kryesore për rezervime në internet, kompani Belle Air nuk jepet si opsion drejt Zvicrës.
Në një kërkim të shpejtë në faqen e aeroportit të Cyrihut, për të parë kompanitë me të cilat operon ky aeroport, Belle Air nuk ekziston fare në këtë renditje, duke bërë të mendosh se një nga aeroportet prestigjioze evropiane, e ka fshirë nga bashkëpunimi kompaninë Belle Air.
