E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tu hiqet shtetësia kosovarëve që luftojnë në Siri

matoshiNga Halil Matoshi*

Çfarë mund të bëjë Kosova për ti ndalur bijtë e bijat e veta vullnetarë apo mercenarë që të mos shkojnë në luftë për Allah në Siri a gjetkë? Asgjë!

Secili njeri është i lirë të ketë bindjet dhe arsyetimet e veta.

Përderisa nuk janë në anën tjetër të ligjit brenda territorit kosovar.

Është pra në vullnetin individual të tyre, në karakterin dhe konstitucionin  e tyre shpirtëror, fetar etj., pra është zgjedhje e tyre e lirë.

Por shteti i Kosovës për ta mbrojtur veten, mund ti ndalojë ata për tu kthyer në atdhe. Dhe këtë, shtetit ia mundëson konstitucioni i tij juridik – si organizatë që e ka monopolin për ushtrimin e dhunës legjitime.

Shteti duhet tua marrë shtetësinë kosovarëve që luftojnë në Siri, për një varg arsyesh, ngase shteti e ka vetëm këtë të drejtë, karshi të drejtës për të luftuar të shtetasve rebelë, që në këtë rast cenojnë jo vetëm imazhin ndërkombëtar të shtetit që i përkasin, por mbi të gjitha cenojnë sigurinë kombëtare!?

Pjesëmarrja në një komplot, kundër rendit kushtetues të një shteti apo pjesëmarrja në luftë duke e shpallur atë të shenjtë (cila është ajo instancë tokësore që shpall diçka për të shenjtë?) ose luftë për Allah nuk është më problem i kufizimeve kushtetuese dhe i të drejtave të njeriut, por është problem kombëtar (që ndërlidhet me tradhtinë kombëtare) që në shtetin modern sanksionohet me ligj.

Kjo ska të bëjë tutje me debatin për futjen e mësim-besimit si lëndë fakultative në shkollat kosovare as me debatin rreth shamisë së vajzave dhe grave shqiptare të fesë islame, as me nenin 8 të Kushtetutës (laiciteti i shtetit kosovar) që pasqyron rendin politik e institucional të Kosovës, sepse po kjo Kushtetutë garanton edhe lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Laiciteti i shtetit nuk përshkruan laicizimin e shoqërisë dhe të individit.

E drejta për të luftuar xhihadi është kundër konstituimit të shtetit modern dhe demokratik, prandaj kjo e drejtë i bën karshillëk vetë shtetit dhe shoqërisë, si dhe intencës për modernizim dhe integrime në BE dhe NATO.

Për xhihadin në Kosovë ekzistojnë interpretime të ndryshme, prej interpretimit që konstaton se xhihadi është e drejta për luftë brenda vetvetes (tek një besimtar) për ti përmbushur detyrat fetare dhe për ti mposhtur veset e këqija (Xhihadi i madh) si një detyrë fetare e myslimanëve, deri tek interpretimi për xhihad të vogël që del të jetë emërtim arab për luftë të armatosur kundër persekutimit dhe shtypjes.

Brenda kontekstit të islamit doktrinar, (tek bindjet Shia), xhihadi i referohet luftës kundër atyre që nuk besojnë në islam (në All-llah).

Porse fjala ka edhe implikime tjera më të gjera.

Xhihadi është përdorur zakonisht për termin “Lufta e Shenjtë”.

Sipas disa burimeve (Shih: Merriam-Webster’s Encyclopedia of World Religions), xhihadi shfaqet 41 herë në Kur’an dhe shpesh me shprehje idiomatike si “përpjekje në rrugën e Zotit.

Një pakicë në mesin e dijetarëve Suni nganjëherë i referohen xhihadit si shtyllë e gjashtë e Islamit, gjë që nuk e ka një status të tillë zyrtar, ndërkaq që tek drejtimi Shia në islam, megjithatë, xhihadi është një nga 10 praktikat fetare.

Mirëpo sipas BBC, një e treta e njohësve të islamit esencial mendojnë se kuptimi i xhihadit është lufta për të ndërtuar një shoqëri të mirë.

Është interesant fakti se shumë ndjekës të islamit doktrinar në Kosovë (me përkatësi Suni) mendojnë se Al-Asadi përket në drejtimin Shia, prandaj e ka devijuar udhën e Zotit, ndërkaq që pikërisht drejtimi Shia i jep termit xhihad kuptimin e luftës kundër të pafeve!

Porse paradoksi i mirëfilltë në këtë tregim është fakti se po dalin të vërtetë zërat që thoshin se shqiptarët, veçmas kosovarët që po luftojnë në Siri nuk kanë ndonjë kauzë politike (luftë për drejtësi e liri) dhe nuk janë përkrah forcave kryengritëse, por as përkrah ushtrisë së rregullt siriane, por janë darë në duart e grupeve politike fondamentaliste islamike, që luftojnë në shumë fronte, kundër trupave të Dinastisë Asad, kundër kryengritësve dhe kundër jomyslimanëve në Siri, apo të huajve dhe këtë me idenë e Damaskut si qendër të Kalifatit (si para 1000 vjetësh).

Alja Noha, një studente siriane në Shqipëri, ka folur për mediat e Tiranës, duke u lidhur përmes telefonit me Ahmad Trad, ishpilot i ushtrisë siriane, por tashmë pjesë e luftëtarëve anti-Assad të Ushtrisë për Sirinë e Lirë, që lufton në periferi të qytetit të Idlebit.

Trad tha se ka grupe radikale që luftojnë në Siri, por që nuk kanë peshën kryesore në konflikt. Ai pranoi se në Siri ka shqiptarë që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, porse këta shqiptarë nuk janë pjesë e rebelëve, por e grupeve radikale fondamentaliste që luftojnë për rrëzimin e presidentit Assad dhe për ngritjen e një shteti islamik!?

Mendohet se janë mbi 500 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria dhe në mesin e tyre ka pasur edhe viktima, por tashmë vjen konfirmimi se ata janë përfshirë në grupe fondamentaliste islamike të cilat kanë një qëllim përfundimtar të ndryshëm nga ushtria për Sirinë e Lirë.

Prandaj të gjithë personat që kanë shtetësi kosovare dhe aktualisht luftojnë në anën e grupeve ekstremiste islamike në Siri, duhet konsideruar si pjesëtarë të organizatave terroriste dhe duhet vënë në kërkim nga organet e ndjekjes në Kosovë, kurse me dekret duhet tu hiqet shtetësia në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit mbi shtetësinë, neni 24, (vepra saktësohet në Kodin Penal të Kosovës), sepse ata kanë organizuar, trajnuar, financuar dhe inspiruar grupe terroriste brenda Kosovës ose në një shtet tjetër dhe kjo është arsye e bollshme juridike që atyre personave tu hiqet shtetësia e Republikës së Kosovës menjëherë.

Neni 3 i ligjit mbi shtetësinë përcakton se vendimi për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës mund të lëshohet edhe pa pjesëmarrjen e personit në fjalë në procedurë.

Neni 14 i Kushtetutës (Shtetësia) thotë: Fitimi dhe humbja e së drejtës së shtetësisë së Republikës së Kosovës rregullohet me ligj.

Me ligjin për shtetësinë përcaktohen mënyrat e fitimit, humbjes dhe rifitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës. Neni 2 thotë se përkufizimi i shtetësisë sipas ligjit është një lidhje të ngushtë juridike midis shtetit të Republikës së Kosovës dhe një personi nga e cila rezultojnë të drejta dhe detyrime të ndërsjella; Ndërkaq në nenin 19 (Mënyrat e humbjes së shtetësisë) thuhe

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›