E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra rikthen Xhemailin

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, të martën e ka publikuar listën me emrat e futbollistëve që do të luajnë me ekipin helvetik në ndeshjen miqësore të 11 gushtit ndaj Austrisë.

Risi në listën e re të Hitzfeldit është rikthimi në ekip i futbollistit shqiptar, Blerim Xhemaili, i cili i mungoi reprezentacionit zviceran në Kampionatin botëror ‘Afrika e Jugut 2010’.

Hitzfeld nuk e kishte ftuar mesfushorin e Parmës në këtë eveniment, pasi më herët 24 vjeçari e kishte pësuar një lëndim që e la atë jashtë Botërorit.
Për miqësoren e 11 gushtit, Hitzfeld i ka ftuar edhe tre futbollistët e tjerë kosovarë, që morën pjesë edhe në Kampionatin botëror. Fjala është për dy mesfushorët, Valon Behrami e Xherdan Shaqiri dhe sulmuesin e Nurnbergut, Albert Bunjaku.

Që të katërtit këta futbollistë shqiptarë pritet të jenë pjesë e reprezentacionit të Zvicrës edhe në ndeshjet eliminatore për Kampionatin Evropian, që nisin në muajin shtator.

Në fazën kualifikuese për Euro 2012, Zvicra do të garojë në Grupin G, bashkë me Anglinë, Bullgarinë, Uellsin dhe Malin e Zi. Nikoqirë të Kampionatit Evropian janë Polonia dhe Ukraina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›