Zv.ministri Hodaj në Zagreb: Shqipëria e angazhuar në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar

Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, mori pjesë sot në punimet e Konferencës së Ministrave të Brendshëm të Forumit të Salzburgut, e cila u zhvillua në kryeqytetin kroat. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar për pengimin e migracionit të paligjshëm dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Hodaj theksoi arritjet konkrete të Shqipërisë në këtë drejtim. Ai nënvizoi se “Shqipëria ka arritur rezultate konkrete pozitive dhe është plotësisht e angazhuar në frenimin e migracionit të paligjshëm dhe ndjekjen, hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale që nxisin e shfrytëzojnë kontrabandimin e qenieve njerëzore drejt vendeve të Bashkimit Evropian”.
Forumi i Salzburgut, i themeluar me iniciativën e Ministrisë së Brendshme Federale të Austrisë, shërben si një platformë sigurie për vendet e Evropës Qendrore. Ai vlerëson kontributin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në trajtimin e fenomeneve të rëndësishme që lidhen me sigurinë publike.
Kjo konferencë ripohon angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
/rtsh.al/