Zv.ministri Kadiu: Ndryshimet në ligjin për minierat rrisin transparencën dhe përshtatin sektorin me zhvillimet e tregut

Në Komisionin për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu paraqiti projektligjin e ri që synon të përmirësojë kuadrin ligjor në të cilin operojnë subjektet minerare. Sipas Kadiut, ligji aktual në fuqi është i vitit 2010 dhe, ndonëse ka pësuar disa ndryshime ndër vite, tashmë kërkon përshtatje me zhvillimet bashkëkohore të sektorit minerar.
Një ndër ndryshimet kryesore të propozuara lidhet me procesin e pezullimit të veprimtarisë minerare, i cili shpesh ndikohet nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Zëvendësministri Kadiu theksoi se këto përmirësime synojnë të rrisin transparencën, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në menaxhimin e burimeve natyrore të vendit.
“Qëllimi i projektligjit ka të bëj më përmirësimin e kuadrit ligjor në të cilin subjektet minerare ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Dua të theksoj se ligji aktualisht në fuqi, është i vitit 2010 dhe ka pësuar disa ndryshime gjatë zbatimit të tij dhe aktualisht me zhvillimin e sektorit minerar këto ndryshime që ne propozojmë për të shtuar në ligj, për të ndryshuar po ashtu, do të adresojnë disa nga nevojat që tregu minerar sot i ka të nevojshme. Duke ndalur në elementet kryesor të projekt ligjit do ta nis nga nevoja që është paraqitur në aspektin rregullator lidhur me procesin e pezullimit të veprimtarisë minerar. Është një proces i cili diktohet për arsye të tregut, vet produkti minerar i cili nxirret në vend adresohet për tregjet minerare dhe çmimet e tyre mund të sjellin kushte te tilla për shkak të cilave mund të kërkojnë pezullim. Projektligji parashikon që ky pezullim në momentin që kërkohet nuk mund të jetë më i gjatë se sa dy vite. Ky është një kufizim i cili i bëhet të drejtës së pezullimit me qëllim që leja e shfrytëzimit të mos vijoj tej afateve të saj normale, ku afatet normale shfrytëzimi janë 25 vite“, u shpreh Kadiu.
Ndryshimet parashikojnë që aplikimet për heqjen ose zvogëlimin e një sipërfaqeje nga fondi pyjor të kryhen në mënyrë elektronike përmes platformës e-Albania, duke zëvendësuar procedurat tradicionale me dokumentacion shkresor.
“Një element i dytë i rëndësishëm i cili synohet që të përmirësohet nëpërmjet disa ndryshimeve në ligjin ekzistues, janë ato të linjizimit të parashikimeve të ligjit për pyjet dhe kullotat dhe procedurës që aplikohet në rastet kur kërkohet zvogëlim apo heqje e një zonë nga fondi pyjor. Parashikohet në ligjin aktual që procedura për heqjen ë një sipërfaqe nga fondi pyjor, të bëhet nëpërmjet një dokumentacion shkresor. Ndërkohë që ligji aktual i pyjeve rregullon procedurën e aplikimit për heqjen nga fondi pyjor nëpërmjet një aplikimi që realizohet në sistemin e-Albania“, tha ai.
/rtsh.al/