E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.ministrja Harxhi, pret komandantin e KFOR-it në Kosovë

Zv. Ministrja e Jashtme Edith Harxhi, priti në një takim pune Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Lieutenant General Markus J. Bentler, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral brigade Maksim Malaj. Në fokus të takimit ishin përmirësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë, roli dhe kontributi i KFOR-it në përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e Kosovës dhe me vendin tonë. Znj. Harxhi e falënderoi Gjeneralin Bentler për punën e shkëlqyer që bëjnë trupat e KFOR-it të drejtuar prej tij në shërbim të ruajtjes dhe forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë si dhe për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe kalimin hap pas hapi të përgjegjësive të sigurisë tek shërbimi policor i Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, fakt ky që dëshmon se siguria atje po konsolidohet gjithnjë e më tepër duke krijuar një klimë më të përshtatshme për zhvillimin ekonomiko-social në vend. Bashkëbiseduesit gjithashtu theksuan, se rritja e pranisë së mekanizmave të BE-së në veri të Kosovës, si EULEX, "Shtëpia e BE-së" dhe emërimi i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në veri të Mitrovicës, Ambasadorit italian Michael Giffoni, do të ndikojnë së tepërmi në përmirësimin e jetës së përditshme të komunitetit serb që jeton atje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›