Zv/ministrja Kapaj: Hapja e filialit të Universitetit spanjoll Gjirokastër, hap me rëndësi për ndërkombëtarizimin e arsimit

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj tha sot se marrrëveshja për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë është një hap shumë i rëndësishëm në kuadër të politikave të Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe konkretisht në lidhje me ndërkombëtarizimin, që është një nga shtyllat e arsimit të lartë”.
Në fjalën e saj në Komisionin për Politikën e Jashtme ku prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED), për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër”, Kapaj tha se “kjo marrëveshje është firmosur në parim që në maj të 2024 në Këshillin e Ministrave”.
“Universiteti Kombëtar i Arsimit në Distancë konsiderohet si një nga universitetet më të rëndësishëm në Europë , si dhe është i rankuar i pari në Spanjë për numrin e studentëve që ka dhe lidhur me ofertën akademike që ky universitet ofron. Ky universitet dëshiron të shtrijë veprimtarinë e tij në vendet e Ballkanit duke zgjedhur pikërisht Shqipërinë për hapjen e kampusit të tij të parë pikërisht në Gjirokastër”, theksoi Kapaj.
Zv/ministrja Kapaj u shpreh se “kjo marrëveshje përfshin 11 nene në të cilat janë shprehur mjaft qartë objektivat e kësaj marrëveshje, detyrimet dhe angazhimet që kanë palët në këtë marrëveshje”.
“Programet e studimit që do të ofrohen, mënyra e përzgjedhjes së studentëve, akreditimi i këtij institucioni të Arsimit të Lartë dhe akreditimi i programeve të studimit do të njihen nga Republika e Shqipërisë në përputhje me gjendjen aktuale të këtij universiteti në Spanjë”, nënvizoi Kapaj.
Lidhur me objektivat që ky projekt madhor ofron, Kapaj tha se “së pari mund të flasim për sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri duke ofruar një metodë të re të mësimdhënies dhe mësimnxënies që është metodologjia në distancë ose online. Gjithashtu është e rëndësishme të theksojmë kuadrin e një mjedisi të shkëmbimit intelektual si në mësimdhënie edhe në mësimnxënie si dhe në kërkimin shkencor mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Spanjës”.
Sipas saj, kjo marrëveshje nuk ka efekt financiar dhe çdo efekt financiar që lind nga kjo marrëveshje do të bazohet në një marrëveshje të nënshkruar tashmë midis bashkisë së Gjirokastrës dhe këtij universiteti.
Këshilli i Ministrave miratoi më 2 maj të këtij viti marrëveshjen me Universitetin Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë, për hapjen e filialit të tij në Gjirokastër. Ky universitet shtetëror i Spanjës do të sjellë një seri programesh studimi në tre ciklet e studimit, por edhe kurse të formimit profesional.
Duke filluar nga viti akademik 2024-2025, UNED-i do të ofrojë programe studimi në Shqipëri në cikle dhe modalitete të ndryshme, sipas nevojave akademike të vendit. Kampusi i Gjirokastrës do të ndjekë të njëjtat standarde si të kampuseve të tjera të UNED-it, me rregullore të brendshme që rregullojnë hapjen, organizimin, gjuhën e studimit, kohëzgjatjen e programeve dhe mbylljen e tyre.
/k.s/