Zyra e gazetarëve në Kuvend kthehet në magazinë!
Çudia
Kuvendi kthen në magazinë mallrash zyrën e gazetarëve. Prej më se 5 muajsh, kjo zyrë e inauguruar me bujë nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, është e kyçur, për shkak se Kuvendi nuk ka hapësira që të magazinojë mallrat e saj. Në zyrën e ndodhur në katin e parë, tashmë gjenden dhjetëra pajisje kompjuterike. Kjo zyrë u inaugurua më 25 maj, por në mbyllje të sesionit kuvendor, në shtator, u kthye në një magazinë. Hapja e saj u mundësua falë investimit të OSBE-së, e cila ka dhënë një kontribut jo të vogël për Parlamentin e Shqipërisë. Ambasadori Wollfarth, gjatë përurimit të kësaj zyre, tha se salla e punës së medias do ta ndihmojë median që të ketë më lehtë akses në rezultatet e mbledhjeve të komisioneve dhe dokumenteve parlamentare. Kjo sallë do të jetë një vend i përshtatshëm, ku media mund të takohet dhe të diskutojë. Pranë Kuvendit të Shqipërisë, sipas këtij institucioni, janë të akredituar 326 gazetarë, redaktorë, drejtues të mediave elektronike, radio dhe televizioneve, gazetave, agjencive të shtypit, kameramanë dhe teknikë nga të gjitha mediat publike dhe private në Shqipëri.
Zyra e gazetarëve në Kuvend kthehet në magazinë! burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email