LSI: Reflektim politik, por të mos prekim ligjin
Rikonfigurimi
Vazhdon përplasja me Partinë Republikanë për anëtarin e KQZ dhe të KZAZ-ve
Partia Republikane po kërkon me ngulm që përfaqësuesit e saj të zënë vendet e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, si dhe ato të qendrave të votimit. Kjo për shkak se PR pretendon se kjo e drejtë i takon, nisur se aktualisht është partia e dytë më e madhe në kampin e djathtë, pas ikjes së LSI-së drejt PS-së. Dje, sekretari i përgjithshëm i PR, Arian Madhi, theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të veprojë menjëherë për këtë çështje. Sa më shpejt të veprojë KQZ, aq më shpejt ne do të kemi ata komisionerë në KZAZ, të cilët kanë atributet legjitime për të qenë si të tillë. Partia Republikane ka konfirmuar një rezultat mjaft të lartë me votat e vitit 2009, që përbëjnë rreth 32 mijë vota përkundrejt aktorëve të tjerë politikë, që me të drejtë mund të pretendojnë dhe ata për të pasur komisionerin, por që diferencën e bën jashtëzakonisht të thellë numri i votave që PR ka, deklaroi Madhi për këtë çështje. Por ky qëndrim është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e LSI-së. Në një prononcim për mediat, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, theksoi se kjo çështje është e sanksionuar në Kushtetutë dhe për këtë nuk mund të ketë qëndrime të tjera. Për konfigurimin apo raportet brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky është një problem ligjor kushtetues dhe ne do ti qëndrojmë asaj fryme të artikuluar edhe në raport me të gjithë zhvillimet politike në vend edhe nga Kryeministri Berisha, që Kushtetuta i ka parashikuar të gjitha çështjet drejt dhe në përputhje me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe me të gjitha aktet që normojnë të gjithë veprimtarinë e KQZ-së apo të gjitha trupave zgjedhore, deklaroi Rama. Por ai theksoi dhe faktin se LSI po shkonte në zgjedhjet e ardhshme me përgjegjësi të plotë dhe jo kush merr thelën apo kush ka në dorë bilbilin. Ne po shkojmë në zgjedhje me seriozitet, por me përkushtimin që të realizojmë një proces zgjedhor korrekt, të ndershëm, transparent, në përputhje me standardet evropiane, që edhe Shqipëria më në fund në zgjedhjet e 23 qershorit të fitojë të ardhmen e vet europiane duke realizuar zgjedhje në përputhje me standardet europiane, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSI-së. I të njëjtit qëndrim se LSI është e interesuar për procesin dhe jo për drejtuesit e komisioneve ishte dje dhe nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani. Në sekondën që do të regjistrohen koalicionet në KQZ, sigurisht ky debat do të lindë dhe duhet bërë dhe legal. Ka një vendim Kolegji që nuk e mbështet shumë ndryshimin e komisionerëve. Ka një ligj që është ligji zgjedhor, që nuk lejon zëvendësim pa shkak të komisionerëve, ashtu siç ka dhe një realitet politik i cili do duhet të kërkojë reflektim. Të gjitha opsionet janë të mundshme, sa i takon LSI-së, ne nuk kemi asnjë problem për këtë çështje, theksoi ai.
LSI: Reflektim politik, por të mos prekim ligjin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email