E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Vazhdoni dialogun me Serbinë

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, u dha mesazh të qartë zyrtarëve kosovar gjatë takimit që pati me ta sot paradite në Prishtinë.

“Mesazhi im për Kosovën është i qartë, mbështes dialogun me Serbinë dhe progresin e arritur në përmbushjen e kritereve afatshkurtra për MSA. Do të vendosim në qershor për hapat e ardhshëm”, ka theksuar Fule.

Sipas tij, çdo marrëveshje e arritur për normalizimin e raporteve mes dy vendeve do të ndikojnë pozitivisht në vendet e BE-së që nuk e kanë njohur akoma Kosovën.

“Duhet të vazhdojmë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve, çdo marrëveshje e arritur do të ketë kuptim pozitiv në njohjen nga pesë shtetet. Kurr nuk kam thënë që nuk do të ketë shpërblim për Kosovën, marrëveshja do të ishte e mire nëse ndodh për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje e cila do të plotësojë aspiratat për integrim në BE të dy vendeve”, ka theksuar Fule

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës që të vazhdojë të jetë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë.

“Çdo marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të bëhet brenda kornizave kushtetuese e ligjore dhe të respektojë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kuqi

Kuqi e ka njoftuar komisionarin Fule për përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e të gjitha detyrave nga Komisioni Evropian, në mënyrë që Kosova në qershor të nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim -Asocim.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave Kuçi ka thënë:

“Kemi kërkuar një përshpejtim të dinamikës nga BE në këtë drejtim, institucionet e BE të ndihmojnë në këtë proces të jetë sa më i shpejtë, por edhe ne të kryejmë të gjitha detyrat tona”, ka theksuar Kuqi.

Ndërkaq Ministrja Çitaku e ka quajtur komisionarin Fule, “kampion i përfshirjes dhe antarësimit të vendeve të rajonit në familjen e madhe evropiane”.

“Kosova do të vazhdojë të prodhojë argumente në mënyrë që shtyhet përpara agjenda evropiane për Kosovën. Pas stutidimit të fizibilitetit dhe kritereve afatshkurtra, presim të hyjmë në marrdhënie kontraktuale me BE-në përmes nënshkrimit të MSA, si hap i parë drejt antërësimit në BE.Jemi të vetëdijshëm që është një rrugë e gjatë, megjithatë vullneti është i madh”, ka theksuar Çitaku./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›